Pasioni i marinarëve për detin daton që në kohët e lashta. Lundërtarët e parë nisën kërkimet e tokave të reja duke kaluar nëpër kontinente të panjohura.

Dëshira për ekspolorim, shpirti i aventurës dhe “ethet e arit” i detyronin “njerëzit e detit” të qëndronin larg familjeve me muaj e madje me vite të tëra. Edhe pse nga koha e Magelanit kanë kaluar qindra vjet, profesioni i marinarit edhe sot i mban këta njerëz larg familjeve për kohë të gjatë.

Idriz Lisaku është një kapiten anijeje, i cili ka mbi 15 vjet përvojë në det. 45-vjeçari nga Durrësi ka hipur për herë të parë në anije në vitin 1991, kohë kur përfundoi shkollën e marinës, ndërsa gradën e kapitenit e mban që nga viti ‘97.

Babai i dy fëmijëve është i ndërgjegjshëm se ka zgjedhur një profesion që e mban larg shtëpisë për shumë kohë. Paçka rrethanave, familja është mësuar me idenë se kryefamiljari mund të largohet me shërbim për muaj të tërë.

“Profesioni ynë ka një të mirë: mund të shikojmë vende të ndryshme, por ka edhe të keqen e madhe që duhet të qëndrosh larg familjes. Momenti i shkëputjes gjatë punës tranzit është shumë i rëndë”, thekson Idrizi.

Sa herë që Idrizi zhvendoset në pika të ndryshme të botës, Manjola, bashkëshortja e tij, qëndron në ankth derisa ai të kthehet. Celulari apo Skype, mbeten e vetmja rrugë komunikimi: “Është e sikletshme kur ikën, por jam mësuar tashmë. Tani që edhe fëmijët janë të rritur, për mua është më e lehtë.”

Koha më e gjatë në det për kapitenin ka qenë në vitet 93-94, kur ishte ende beqar. Për një vit të tërë ai ka qëndruar në Kinë bashkë me ekuipazhin. Shpesh herë ka menduar të lërë gjithçka dhe të ndërrojë profesion për të bërë një jetë normale, por dashuria për detin është shumë e fortë për kapitenin që mendon të qëndrojë në det dhe për shumë kohë.
 
Forcat Speciale

Profesioni i ushtarakut është konsideruar shumë i rëndësishëm në momentet më historike të një vendi. Nëse detyra ua kërkon, ata shkojnë në pikat më të “nxehta” të globit për kohë të gjatë, në emër të paqes dhe sigurisë. Edhe pse janë konsideruar gjithmonë si njerëz të ftohtë, pas uniformës fshihet bashkëshorti, vëllai apo djali i një nëne.

Aleksandër Alimadhi është nënoficer i batalionit të forcave speciale shqiptare. Ai ka 6 muaj që është kthyer nga misioni i fundit në Afganistan, ku ka qëndruar për një kohë të gjatë. Koha kur Aleksandri shërbente në frontin e luftës ka qenë mjaft e vështirë për bashkëshorten dhe djalin.

Erinola Alimadhi, bashkëshorja e Aleksandrit, shprehet: “Bashkëshorti im u nis në mision pas katër muajsh fejesë. Komunikonim me anë të telefonit ose me mesazhe. Ishte shumë e vështirë. Kam pasur shumë ankth dhe stres.”

Paçka distancës, teknologjia e komunikimit gjatë kohës së shërbimit bënte të mundur që ndjenja e mallit të zbehej disi, edhe pse më e vështirë ka qenë për djalin e Aleksandrit, Armandin: “Kur ka ikur për herë të tretë, djali ishte 19 muajsh dhe i tregonim shpesh fotografi që të mos e harronte. Flisnim çdo ditë në Skype dhe Facebook.”

Përpara Afganistanit, nënoficeri ka shërbyer në Irak për periudha të gjata kohore. Tashmë ai është mësuar me idenë e të qëndruarit larg shtëpisë me mision krah për krah me kontigjentin e forcave speciale.

157 trupa të forcave të armatosura shërbejnë në Afganistan. 107 prej tyre i përkasin kontigjentit të 12 paqeruajtës në zonën e Heradit, ndërsa 50 ushtarakët e kontingjentit “Eagle 6”, në zonën e Kandaharit. Misioni “Eagle” i Batalionit të Forcave Speciale është shndërruar në simbolin e profesionalizmit të ushtarakëve shqiptarë në kryerjen e detyrave me rrezikshmëri të lartë, në bashkëpunim me trupat amerikane.
 
Profesionet e “largëta”

Disa profesione mund të quhen me plot gojën “të largëta”. Shpesh herë për shkak të rrethanave, njerëzit që pranojnë një punë të tillë, detyrohen të largohen nga familjet për një kohë të papërcaktuar.

Por cilat janë disa nga profesionet që na detyrojnë të qëndrojmë larg familjes?

Së pari, pilotët e avionëve. Nëse zgjedh të bëhesh pilot avioni, duhet t’i bësh mirë llogaritë për jetën tënde familjare. Sipas një studimi të kryer në Britani, pilotët e avionit konsiderohen si njerëzit që kalojnë gjithmonë e më pak kohë me familjen për shkak të orareve të fluturimit. Pak rëndësi ka se mund të keni planifikuar të dielën pushim, axhenda e fluturimeve dikton axhendën familjare pa më të voglin dyshim.

Së dyti, ushtarakët.
Nëse jeni e martuar me një ushtarak, e keni të vështirë të përcaktoni kohën kur bashkëshorti do të jetë në shtëpi. Duhet të mësoheni me idenë se koordinatat gjeografike janë thjesht një detaj për një person që mban uniformë. Asnjëherë nuk është e sigurt kur do të vijë urdhëri i radhës për tu spostuar me mision në pika të ndryshme të globit.

Kapitenët e anijeve janë një tjetër grup që qëndrojne në det në varësi të përmbushjes së punës. Kryesisht shërbimet në det nisin nga disa muaj e deri në mbi një vit. Familjarët e sfafit të anijes tashmë e dinë që e vetmja mënyrë për të folur me të afërmit është telefoni apo rrjetet sociale.

Edhe pse mund të duket çuditshëm, këngëtarët kanë një profesion që i mban për kohë të gjatë larg familjes. Turnetë e ndryshëm në botë i detyrojnë artistët të bëjnë një jetë “të lëvizshme”. Dashamirësit e muzikës nuk janë gjithmonë brenda të njëjtit shtet, gjë që e ka kthyer profesionin e këngëtarit në një punë eksploratori vendesh të ndryshme.

Top Channel