Kur gjermanët e amerikanët luftuan së bashku

14/05/2013 18:15

Një prej historive më mbresëlënëse, por njëkohësisht ndër më pak të njohurat të Luftës së Dytë Botërore, ishte nje betejë në të cilat ushtarët gjermanë dhe amerikanë u bashkuan për të luftuar së bashku kundër një armiku të përbashkët.

Në javën e fundit të luftës më të madhe që ka njohur ndonjëherë njerëzimi, në kështjellën e Itterit, në Austri, mbaheshin disa prej të burgosrve më të rëndësishëm, kryesisht politikanë francezë, në duart e gjermanëve.

Midis grupit të të burgosurve ishin ish-Presidenti i Francës, Albert Lebrun, ish-kryeministrat Edouard Deladier dhe Paul Reynaud, gjeneralët e lartë Maxime Weygand e Maurice Gamelin, madje edhe një prej yjeve të tenisit të kohës, i quajtur Jean Borotra.

Një javë përpara se lufta të mbaronte, në 1 maj, një grup ushtarësh të zgjedhur gjermanë, të forcave “SS”, mbërritën në afërsi të kështjellës, për të marrë në dorëzim të burgosurit, të cilët do të transferoheshin në një destinacion të ri, ku me shumë gjasa do të ekzekutoheshin.

Të vendosur për të mbrojtur nderin e tyre ushtarak deri në fund, 20 ushtarë gjermanë të forcave të ushtrisë së rregullt, vendosën të kundërshtonin urdhërat e komandës naziste, e të bashkoheshin me një togë prej 17 ushtarësh amerikanë, për të mbrojtur kështu personalitetet franceze nga “xhelatët e tyre”.

Për rreth dy ditë, ushtarët amerikanë dhe gjermanë, të pajisur me armë të lehta dhe dy tanke amerikanë, realizuan një rezistencë shembullore, përballë brigadës esese, që goditi kështjellën me predha antitanku e armë të tjera të një kalibri më të lartë.

Për fatin e tyre, në datën 5 maj, kur municionet po mbaronin dhe të burgosurit kërkuan armë për të mos u dorëzuar deri në fund, në zonë ia behu një division amerikan, i cili detyroi forcat esese të zmbrapseshin.

Një histori e denjë për një film hollivudian, ajo mund të lexohet e plotë në një libër të historianit Stephen Harding, publikuar fillimisht, me titullin “Beteja e Fundit” (The last battle), në SHBA e Britaninë e Madhe.

Top Channel