OKB: Të luftojmë urinë duke ngrënë insekte

13/05/2013 16:45

Konsumimi më i madh i insekteve mund të ndihmojë në luftën kundër urisë në botë, sugjerohej të hënën në një raport të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sipas studimit, të përpiluar nga Agjensia Ushqimore dhe Bujqësore e OKB-së, ngrënia e brumbujve, krimbave apo gjallesave të ngjashme do të ndikojë në pasurimin e vlerave ushqimore të konsumuara dhe reduktimin e ndotjes në botë.

Aktualisht, mbi dy miliardë persona në planet i kanë pjesë të zakonshme të dietës së tyre insektet.

Megjithatë, në vendet e zhvilluara dhe sidomos në SHBA e Europë, ekziston një barrierë psikologjike, pasi gjallesa të tilla nuk kanë qenë kurrë pjesë e kuzhinës dhe ngjallin neveri tek popullsia.

Ndërsa OKB pranoi se kjo “barrierë psikologjike” mbetet problemi kryesor në botën e zhvilluar, theksoi se insektet janë shumë më të pasur me proteina, hekur, kalcium e përbërës të tjerë të domosdoshëm për trupin e njeriut, prandaj duhet te nise nje fushate e gjere edukimit per kete burim ushqimor.

“Insektet ndodhen kudo e riprodhohen me shpejtësi, por mbi të gjitha, ata kanë vlera të larta ushqimore që mund të përmirësojnë jetën e njeriut”, shkruhej në raport, i cili sugjeronte përdorimin sa më të madh të insekteve mbi te gjitha tek fëmijët e kequshqyer.

Përshembull, studimi theksonte se e njëjta sasi vemjesh, ka 12 herë më shumë vlera ushqyese se mishi i viçit.

Njëkohësisht, rritja e konsumit të insekteve si ushqim, do të sillte më pak dëme në gjënë e gjallë dhe të mbjellurat.

Në raport, sugjerohej që në vendet ku insektet nuk janë pjesë e dietës, të inkurajohet përfshirja e tyre në recetat e gatimit të restoranteve, në menca të përgjitshme apo kopshte e shkolla.

Top Channel