Greqia do të duhet të marrë përsëri masa të reja shtrënguese në vitet 2015-2016 për të mbuluar gropën e zezë buxhetore të ekonomisë se saj.
Ky është një prej konkluzioneve të KE, në raportin shokues për Athinën që është publikuar vetëm disa orë para samitit të ministrave të Eurozonës në Bruksel.
Në 11 faqet e këtij raporti theksohet se, vërtet qeveria greke do të arrijë objektivat e saj fiskalë për vitin 2013 dhe 2014 në reduktimin e defiçitit, por do të ketë nevojë për masa shtesë në dy vitet e ardhshme.
“Greqia ka shkurtuar defiçitin e buxhetit të saj me gati 2/3 prej vitit 2009. Por për të arritur objektivat e viteve pasardhëse do të kërkohen masa shtesë fiskale prej 1.8% të PBB në 2015 dhe 2.2% në vitin 2016”, vëren KE.
E thënë ndryshe, afërsisht 8 miliardë euro për të cilat nuk sqarohet se si do të veprohet, pasi Athina konsideron se shoqëria greke nuk mund të durojë më masa të reja shtrënguese në paga dhe pensione.
Mbi të gjitha, Greqia do ta ketë shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të dalë në tregje edhe pas vitit 2014, shkruhet në raport.
Sipas KE, i rëndësishëm është zbatimi i rreptë i politikave ekonomike duke përfshirë dhe privatizimet, që do të reduktojnë pasigurinë dhe do të rrisin besimin duke ndihmuar frenimin e reçesionit dhe rritjen e papunësisë.
Analistët i cilësojnë dy raportet e fundit të BE dhe FMN për Greqinë me një dush skocez për qeverinë e kryeministrit Samaras. Nga njëra anë, thonë ata, tregohet se Athina është në rrugë të mbarë dhe se është rritur besimi i kreditorëve, por nga ana tjetër borxhi i saj kolosal përshkruhet si një mal i pakapërcyeshëm.
Kjo shprehet dhe në sondazhin e fundit të institutit ndërkombëtar Nielsen, që mat besimin e konsumatorëve, sipas të cilit Greqia është vendi i dytë më pesimist në botë pas Portugalisë.
Kjo, pasi 90% e qytetarëve të saj besojnë se reçesioni i ekonomisë do të vazhdojë, se kriza do të gjunjëzojë akoma më shumë vendin në vitet e ardhshme dhe se prej tyre do kërkohen sakrifica të reja.
Top Channel