Një indian, në pritje të ekzekutimit në Pakistan, ka vdekur pasi është sulmuar javën e kalaur nga disa të burgosur, njoftuan mjekë dhe avokati i tij.
Sarabjit Singh u sulmua me tulla nga të burgosurit në burgun “Kot Lakhpat” në Lahore, të premten e kaluar. Ai ra në gjendje kome dhe ndërroi jetë në orën 1 pas mesnate (me orën lokale), të ditës së enjte, në spitalin “Jinnah” të Lahore-s.
Singh ishte dënuar për spiunazh dhe akuzohej për sulmin me bombë, që vrau 14 persona në Pakistan, në 1990. Familja e tij, e cila sapo ishte rikthyer në Indi, pasi e kishte vizituar atë në spital, këmbëngulte gjithmonë se ai ishte i pafajshëm dhe ndodhej në Pakistan gabimisht, kur u arrestua.
Por, peticionet për falje u refuzuan nga gjykatat pakistaneze dhe ish-presidenti Pervez Musharraf. India kishte apeluar për 49-vjeçarin Singh, për ta liruar ose për ta transferuar në Indi, pas shqetësimeve për trajtimin e tij pas sulmit. Ai kishte pësuar dëmtime serioze, përfshi edhe një frakturë në kafkën e kokës.
Vdekja e tij “ishte e paralajmëruar”, tha avokati i Singh, Owais Sheikh, për agjencinë e lajmeve AFP. “Kushtet e tij ishin më shumë se sa kritike dhe shanset për mbijetesë ishin të pakta”, shtoi ai. Një doktor tha për AFP se po bëhen përpjekje për një autopsi.
Kjo çështje rrezikon të shkaktojë tensione të reja në marrëdhëniet mes fqinjëve-rivalë prej një kohe të gjatë, të armatosur edhe me armë bërthamore, Indisë dhe Pakistanit. Kryeministri indian, Manmohan Singh, e kishte përshkruar sulmin si “dëshpërues”.
Top Channel