Bajern Mynih – Borusia Dortmund do të jetë finalja e madhe e Ligës së Kampionëve, që do të luhet më 25 maj, në “Wembley”.
Bavarezët e Jupp Heynckes kanë turpëruar Barcelonën në “Camp Nou”, duke fituar 3-0 e ndoshta duke mbyllur ciklin e skuadrës katalanase, e cila drejtoi futbollin europian për disa vite.
Pa Messi-n në fushë, Barcelona u shfaq një skuadër normale dhe larg asaj të magjishmes, të cilën jemi mësuar ta shihnim vitet e fundit.
Pjesa e parë nuk dha shumë emocion, bavarezët ishin shumë pranë avantazhit me Muller dhe Ribery, por Pique nuk lejoi bavarezët të shënonin gjatë 45 minutave të para.
Nga ana tjetër, Barcelona tentoi të luajë sipas mënyrës së vet, por mungesa e “pleshtit” argjentinas bëri që, rreziku i parë dhe i vetëm i tyre në portën e Neuer të vinte në minutën e 26.
Pjesa e dytë nisi me një gol të holandezit Robben. Në të 72-tën minutë, Pique dërgoi gabimisht topin në portën e tij, duke dyfishuar, ndërsa 4 minuta më vonë Muller shënoi golin e tretë për Bayern-in, ndërkohë që Barcelona nuk humbte 2 ndeshje me eleminim direkt në Europë, që nga viti 1987.
Kjo është hera e parë, që finalja e Ligës së Kampionëve do të diskutohet mes dy skuadrave gjermane dhe, njëkohësisht, hera e parë pas 12 vjetësh, që një skuadër gjermane do ta fitojë trofeun e Champions League.
Top Channel