Kriza në vendet fqinje po godet gjithnjë e më fort biznesin shqiptar të fasonëve. Rënia e fuqisë blerëse në Itali e Greqi, dy vendet që zënë peshën kryesore në totalin e porosive, ka reduktuar ndjeshëm numrin e kontratave me firmat shqiptare, ndërsa pagesat për punët e kryera vonohen deri në 120 ditë.

“Duke u gjendur ata në një moment financiar të pamundur për të likujduar kanë shtyrë afatet e pagesës nga 30 në 120 ditë. Disa kompani që nuk kanë mundur të përballojnë këto pagesa, kanë ulur porosi të ndjeshme, pra kanë ulur kontratat”, thotë Lindita Legisi, Presidente e Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve.

Mungesa e likuiditetit ka çuar në mbylljen e përkohshme të rreth 130 ndërmarrjeve që prej fillimit të krizës, ndërsa janë shkurtuar rreth 10 mijë punonjës.

“Ka patur firma që kanë ulur, ka patur firma kanë mbajtur, ose firma që janë riorganizuar brenda mundësive të tyre. firma të tjera të vogla, ka patur që janë mbyllur në mënyrë të menjëhershme, sidomos ato që kanë patur lidhje me Greqinë”, thotë Legisi.

Sipas ‘Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve’, në vitin 2012 eksportet e fasonëve kanë pësuar një rënie prej 8.3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa që prej fillimit të krizës, në 2008 kjo rënie është 28 përqind.

Të gjendur në këtë situatë, fasonistët shqiptarë po eksplorojnë tregje të reja bashkëpunimi si Gjermania, Franca, Zvicra apo Holanda.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA