Mijëra pjesëmarrës mbajtën 30 sekonda heshtje përpara fillimit të Maratonës së Londrës në shenjë solidariteti me personat e prekur nga shpërthimet e Bostonit, por edhe në një gjest të hapur sfide ndaj atyre që përpiqen të thyejnë shpirtin njerëzor.
Mes masash të rrepta sigurie, garues e spektatorë u mblodhën për eventin më të madh të këtij lloji në Botë. Policia e kryeqytetit britanik ka nxjerrë 800 efektivë për forcimin e sigurisë gjatë rrugës së maratonës, duke e çuar në 2.000 numrin total të agjentëve të mobilizuar që do të thotë 40% më shumë se vitin e kaluar.
Përpara 36.000 personave të mbledhur aty, komentatori i eventit, Geoff Wightman, tha se të gjithë po i bashkoheshin këtyre çasteve të heshtjes për të nderuar miqtë e kolegët që panë se si një ditë gëzimi u shndërrua brenda pak minutave në një ditë kaosi e tmerri. “Maratona është sport global”, shtoi ai.
Ky vrapim bashkon garues e mbështetes nga çdo kontinent që kërkon një sfidë të përbashkët dhe frymën e miqësisë e barazisë dhe për Britaninë ishte e rëndësishme të tregonte se mund ta realizonte eventin pavarësisht shpërthimeve në Boston. 24 prej garuesve në karrige me rrota që marrin pjesë në Maratonën e Londrës ishin dhe në atë të Bostonit të hënën.
“Kam kalur nëpër sfida të vështira çdo ditë të jetës sime ndaj e di sesi është”, tha për BBC-në amerikania Tatyana McFadden duke iu referuar të plagosurve të Bostonit që humbën gjymtyrët në sulmet e 6 ditëve më parë.
“Kur të kaloj nëpër rrugët e Londrës do të jem duke garuar edhe për ata”, shtoi Tatiana.
Maratona e Londrës, më e madhja në botë, është mbajtur për herë të parë 29 marsin e vitit 1981 dhe që nga ajo kohë organizohet rregullisht çdo vit në pranverë.
Top Channel