Obama: Të hetohet deri në fund

20/04/2013 00:00

“Do të zbulojmë se çfarë ndodhi dhe do të bëjmë gjithçka për të siguruar popullin tonë.” Kështu u shpreh presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, pas arrestimit të Dzhokhar Tsarnaev, të dyshuarit të dytë për atentatet e së hënës në maratonën e Bostonit.

Në një komunikim me mediat në Shtëpinë e Bardhë, Obama falenderoi trupat e angazhuara në këtë operacion dhe theksoi se autorët e atentatit dështuan në objektivin e tyre pasi “amerikanët nuk pranojnë të terrorizohen”.

“Familjet e viktimave dhe të plagosurve meritojnë përgjigje. Me këtë arrestim është mbyllur një kapitull i kësaj tragjedie”, theksoi Obama, i cili shtoi se populli amerikan duhet të qëndrojë larg paragjykimeve të nxituara ndaj të huajve që vijnë në SHBA duke qenë se atentatorët e Bostonit ishin nga Ceçenia.

“Është e rëndësishme që të vazhdojmë të mirëpresim të huajt që vijnë në vendin tonë nga e gjithë bota. Shpirti amerikan përfshin diversitetin dhe duhet ta ruajmë këtë karakteristikë që na bën më të fortë”, tha presidenti.

Obama kujtoi edhe viktimat e shpërthimit në një fabrikë të Teksasit, të cilët i siguroi se nuk do të harrohen edhe pse ngjarja në Boston ka tërhequr më shumë vëmendje: “Ka qenë një javë e vështirë për ne, por edhe një herë tjetër treguam karakterin e kombit tonë.”

Policia e Bostonit ka njoftuar se i dyshuari i bombave në Maratonën e
Bostonit është kapur i gjallë, duke i dhënë kështu fund gjuetisë masive,
që futi në “shtetrrethim” kryeqendrën e Massachusetts, pas
paralajmërimeve se personi i kërkuar mund të ishte i armatosur me
eksplozivë.

Zyrtarë të zbatimit të ligjit thanë për CNN se autoritetet kanë konfirmuar identitetin e personit të arrestuar, është pikërisht 19-vjecari Dzhokar Tsarnaev, i cili ia mbathi shkëmbimit të zjarrit pak orë më parë në periferinë e Watertown-it, ku mbeti i vdekur vëllai i tij i madh, Tamerlan Tsarnaev, i kërkuari tjetër si përgjegjës i bombave që shpërthyen disa ditë më parë.

I riu Tsarnaev, sipas zyrtarëve, ishte në nevojë urgjente për kujdesin mjekësor, por nuk bëhet e ditur se për cfare ndihme konkretisht. Ai është transportuar me ambulancë nga vendngjarja. Pasi njoftoi në Twitter se i dyshuari ishte drejtuar për në paraburgim, policia e Bostonit shkroi në rrjetin social “U kap! Gjuetia përfundoi. Kërkimi rezultoi me sukses. Terrorit i erdhi fundi. Drejtësia fitoi. I dyshuari do të merret në pyetje”.

Arrestimi erdhi në më pak se 1 javë, pasi dy bomba shpërthyen pranë vijës së finish-it të Maratonës së Bostonit, duke shokuar kombin dhe duke lënë një qytet të tërë në ankth. Tsarnaev u rrethua gjatë orëve të vona të së premtes në një varkë në Watertown, në periferi të Bostonit.

“Kemi mbyllur një kapitull të rëndësishëm në këtë tragjedi”, tha presidenti Barack Obama në një fjalim televiziv. Edhe pse i është dhënë fund këtij makthi, ai u zotua se do të gjejë përgjigjet e motivit të sulmit, si dhe do të mësohet nëse të dyshuarit kanë patur ndihma të jashtme, për të realizuar komplotin.

Disa minuta pasi autoritetet kishin njoftuar se kërkimi masiv për të
dyshuarin e bombave në Maratonën e Bostonit po dilte bosh, gjatë së
premtes, policia duket se ka “zënë në kurth” të dyshuarin, bëri të ditur
një zyrtar i zbatuesve të ligjit për CNN, në kushtet e anonimatit.

Një ekip transmetimi i CNN në vendngjarje, në Watertown, njoftoi se kishte dëgjuar rreth 24 të shtëna. Mendohet se 19-vjeçari i dyshuar është fshehur në një varkë në kopshtin e shtëpisë së tij në Boston. Ai besohet “të jetë i plagosur, por gjallë”, teksa policia ka hedhur gaz lotsjellës për ta detyruar atë të dalë.

Zhvillimi i fundit vjen pasi autoritetet shpallën një “shtetrrethim” në Boston, për të kapur të dyshuarin, që virtualisht mbylli të gjithë qytetarët e kryeqendrës së Massachusetts nëpër shtëpi, pas paralajmërimeve se personi i kërkuar mund të ishte i armatosur me eksplozivë.

Autoritetet thanë se Dzhokar Tsarnaev u arratis gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në periferinë e Watertown, ku mbeti i vdekur vëllai i tij i madh, Tamerlan Tsarnaev, i kërkuari tjetër pas bombave të shpërthyera.

Më shumë se 18 orë pasi kërkimet u fokusuan te vëllai i vogël, oficerë policie me armatime të rënda, me jelekë antiplumb, u vërsulën derë më derë për të kërkuar në të gjithë zonën, bëri të ditur kolonel Timothy Alben i Policisë së Shtetit të Massachusetts.

“Për fat të keq, nuk kemi ende një rezultat pozitiv në këtë pikë”, tha Alben gjatë atij momenti. “Mendojmë se ai është ende këtu mes nesh”.

Ndërkaq, guvernatori Deval Patrick, hoqi “shtetrrethimin” që detyroi gati 1 milionë banorë të qëndronin të mbyllur nëpër shtëpitë e tyre, e megjithatë i paralajmëroi banorët të qëndronin “vigjilentë”.

Banorëve të Bostonit u është kërkuar të mbyllen brenda shtëpive, ndërsa
në Kejmbrixh të Masacusets po zhvillohet operacioni më i madh për kapjen
e 19-vjeçarit, Dzhokhar Tsarnaev, të cilin mediat amerikane e kanë
cilësuar si “i dyshuari nr 2” për sulmin me bomba gjatë Maratonës së
Bostonit.

Ai mundi t’i shpëtojë përleshjes së armatosur me policinë, ku mbeti i vrarë vëllai i tij, 26-vjeçari Tarmelan Tsarnaev. Operacioni nisi pas vrasjes së një oficeri policie në Institutin e Teknologjisë së Masacusets, në Kejmbrixh.

Dy vëllezërit muslimanë ishin me origjinë nga Çeçenia dhe u vendosën 10 vjet më parë në Shtetet e Bashkuara. CNN raporton se i “dyshuari nr 2” ndodhet në periferi të Watertown-it, ku aktualisht ndodhen dhjetra policë të agjencive lokale, shtetërore dhe federale.

Policët po trokasin derë më derë në kërkim të tij. Policia tha se ka kërkuar në 70% të zonës. Guvernatori i Masacusets, Deval Patrik, foli për “zhvillime të rëndësishme në hetime” dhe përsëriti paralajmërimin e tij për banorët, për të qëndruar brenda shtëpive.

Presidenti amerikan, Barak Obama, është informuar për situatën. Sekretari i Shtetit, Xhon Kerri, ish-senator i Masacusets, tha se “gjatë gjithë javës jemi përballur me djallin”. Presidenti rus, Vladimir Putin, i dërgoi presidentit Barak Obama një mesazh ngushëllimi, ku e dënonte me forcë “krimin barbar” në Boston, ku thuhej më tej se Federata ruse do të jetë e gatshme për të ndihmuar në hetime.

FBI bëri publike fotot e dy të dyshuarve për sulmin me bomba, njëri mbante veshur një kapele të bardhë, ndërsa tjetri një të zezë. Në një intervistë për CNN, Rusllan Carni, xhaxhai i të dyshuarve, tha se ai nuk kishte folur prej dy vjetësh me nipërit, por saktësoi se Tamerlan Tsarnaev i kishte telefonuar dje.

Pyetjes, se cili mund të kishte qenë motivi i tyre, ai iu përgjigj: “Të qenit humbës, ata i urrenin të gjithë”. Ndërsa në Rusi, një person, që sipas “Associated Press” është babai i të dyshuarve, e përshkroi djalin e tij Dzhokhar, si një student mjekësie të talentuar dhe një ëngjëll të vërtetë. Ai kishte fituar një bursë për të vazhduar studimet. Dëshironte të bëhej një neurokirurg, siç tregoi i ati.

Tamerlan Tsarnaev ishte një boksier amator i peshave të rënda dhe shpresonte që një ditë të ishte pjesë e Ekipit Olimpik amerikan. Fotografi Johanes Hërn, që e kishte takuar, publikoi disa foto të tij. 26-vjeçari Tsarnaev e përshkruante veten si një musliman të devotshëm, që nuk pinte më alkool apo duhan.

Ai kishte treguar se nuk kishte asnjë mik amerikan, sepse nuk i kuptonte. Operacioni për kërkimin e 19-vjeçarit nisi në orët e vona të së enjtes, pas vrasjes së 26-vjeçarit Shon Kollier, polic, në godinën e Institutit të Teknologjisë së Masacusets.

Vëllezërit morën peng një makine taksie dhe më pas e lanë të lirë shoferin, i cili nuk kishte pësuar asnjë lëndim fizik. Policia ndoqi të dyshuarit, të cilët lëshuan bomba dhe shkëmbyen zjarr me policinë, që zgjati 10 minuta, ku mbeti i vrarë Tamerlan Tsarnaev.

Sipas raportimeve, ai mbante në trup një bombë artizanale, në momentin kur u qëllua. Dy vëllezërit dyshohen si autorë të sulmit me bomba, në afërsi të vijës së finish-it të Maratonës së Bostonit, ku humbën jetën tre persona dhe mbi 170 të tjerë u plagosën.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA