Durrës, plagos bashkëshortin

17/04/2013 22:30

Një grua 31-vjeçare ka plagosur me armë zjarri bashkëshortin, ndërsa po dhunohej fizikisht dhe kërcënohej me jetë prej tij.

Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës në zonën e ish-kënetës, në lagjen 17 të qytetit bregdetar, ku banon dhe familja Zaçellari. Gjatë një konflikti të ashpër mes bashkëshortëve, prindër të dy fëmijëve, Leonora Zaçellari qëlloi me pistoletë mbi të shoqin, Përparimin 35-vjeçar, duke e lënë të plagosur.

Gruaja njoftoi vetë sallën operative të policisë dhe u dorëzua së bashku me armën, duke pranuar se qëlloi mbi të në kushtet e vetëmbrojtjes.

Nga dëshmitë e marra rezulton se ajo është viktimë e dhunës familjare prej vitesh dhe se në çastin e plagosjes ajo ishte rrahur keq dhe kërcënuar me jetë nga bashkëshorti.

E gjetur pa rrugëdalje, ajo tha në polici se ka qëlluar, duke e plagosur në këmbë dhe në ije. Burimet spitalore bëjnë të ditur se i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shenjat e dhunës së ushtruar mbi 31-vjeçaren janë të dukshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA