Përfaqësues të 6 vendeve më të fuqishme të botës dhe Iranit mbyllën një ditë pa fryte në tryezën e bisedimeve, gjatë ditës së premte në Kazakistan, pasi u përpoqën të gjenin një zgjidhje për programin e debatueshëm bërthamor të Teheranit.
Kur negociatorët e bllokut 6-vendësh diplomatik u ulën për herë të fundit me të dërguarin e Iranit në qytetin e Kazakistanit, Almaty, në muajin shkurt, ata ofruan atë që e karakterizuan si “një ofertë të balancuar dhe të drejtë” për të ulur tensionet në lidhje me programin bërthamor iranian.
“Jemi duke pritur se si do të përgjigjet Irani ndaj propozimit, që i ofruam në tavolinë”, tha Michael Mann, një zëdhënës i Bashkimit Europian, për gazetarët, pas rifillimit të negociatave ditën e premte.
Megjithatë, në fund të ditës, të paktën njëri prej diplomatëve perëndimorë shprehu zhgënjimin e tij në lidhje me progresin e arritur gjatë kësaj dite.
“Kishim një diskutim të gjatë dhe substancial për problematikat, por mbetemi ende shumë larg bërthamës së cështjes”, tha diplomati perëndimor, në kushtet e anonimatit.
Në vend të një “përgjigjeje konkrete”, që qeveritë perëndimore kishin pritur, Irani njoftoi se do të bënte propozimet e veta kundrejt palëve negociuese. Zëvendës-shefi negociator i Iranit tha se oferta është e bazuar te prezantimi në “PowerPoint” i kaluar, të cilin dorëzoi delegacioni iranian gjatë raundit të bisedimeve në Moskë, në qershor 2012.
“Republika islamike e Iranit propozon një metodë praktike për të implementuar planin e Moskës në një shkallë më të vogël”, tha Ali Baghery në një deklaratë të lëshuar për gazetarët, të premten. Oferta, sipas tij, synonte të krijonte “themelet e reja të bashkëpunimit”.
Top Channel