Oscar Pistorius, sprintieri paraolimpik afrikanojugor që përballet me akuzën e vrasjes me dashje të së dashurës së tij, u lejua që të udhëtojë jashtë vendit, deri kur të nisë zhvillimi i gjyqit të tij.
Një gjykatës vendosi ditën e enjte, në Pretoria, se 26-vjeçari mund të udhëtojë, duke iu përmbajtur disa kushteve.
Më parë, gjykata kishte vendosur që ta linte të lirë në pritje të procesit, por me detyrimin për të mos t’u larguar nga vendi.
I ngarkuar me akuzën e vrasjes me dashje, atleti ka pranuar vrasjen, por pretendon se ajo ishte aksidentale, pasi ngatëroi bashkëjetuesen e tij, Reeva Stenkamp, me një grabitës.
29-vjeçarja Reeva, modele dhe pjesëmarrëse në disa programe televizive, u vra me katër plumba mëngjesin e Shën Valentinit 2013, brenda tualetit të shtëpisë së Pistorius dhe në ditët në vazhdim, u përfol se atleti kishte vepruar nën efektin e xhelozisë, pas dyshimeve për tradhëtinë e saj.
Një ditë më parë, një tjetër Pistorius u paraqit në gjykatë në një proces në vazhdim. i vëllai i atletit më të njohur paraolimpik në botë, Carl, po ndiqet penalisht pasi përplasi për vdekje një këmbësor në 2008-n, ndërsa drejtonte automjetin e tij.
Sipas akuzës, Carl po drejtonte makinën në mënyrë të pakujdesshme dhe duke mos rrespektuar normat e qarkullimit rrugor, ndërsa mbrojtja i vë fajin këmbësorit.
Top Channel