Dështimet e shtetit

23/03/2013 00:00

ARTAN LAME – Kam qenë mbështetës i flaktë i
dënimit me vdekje. Emocionalisht vazhdoj të jem i tillë. Ndërsa kur
mendohem me gjak të ftohtë them jo. Çdo krim që ndodh, sefte duhet parë
si dështim i shtetit dhe, vetëm pastaj si dështim në jetën e një
individi.

Familjarët e Ardianit thanë se tendencat e devijimeve seksuale atij iu shfaqën kur u lirua nga ushtria. Nisur nga mosha, i bie ta ketë bërë ushtrinë diku andej nga vitet 1988-‘90. Dhe, duke pasur parasysh se ato kanë qenë vitet e shthurjes së përgjithshme, jo vetëm të ushtrisë, por edhe të gjithë shtetit shqiptar, askush s’di të thotë se çfarë i ka ndodhur adoleshentit Prenjasi në kazermat e asaj kohe, që e ka deformuar. Aso kohe natyrisht që ngjarje të tilla mbylleshin brenda për brenda mureve. Nëse që atëherë shteti do të kish ndërhyrë, ndoshta shumë gjëra do të kishin vazhduar ndryshe. Dështimi i parë i shtetit ky, nuk ka rëndësi i cilit shtet, i këtij të sotmit apo i atij të Ramiz Alisë, shtet shqiptar mbetet.

Ende pa folur doktorët dhe psikiatrit, askush nuk mund të thotë nëse deviacioni i tij ishte i lindur, ishte i fjetur dhe iu zgjua nga ndonjë dhunë gjatë ushtrisë, apo ishte i zhvilluar më pas. Dhe, nëse rezulton se kishte deviacion të lindur apo të nxitur gjatë ushtrisë, atëherë është e kotë të thërrasim sot “në litar, në litar”, pasi është njësoj sikur të dënojmë me varje edhe gay-t apo gjithë LGBT-rat. Dështimi i dytë i shtetit.

Në gjithë këta vjet, tani po del se Ardiani paska qenë denoncuar disa herë rresht për vepra të tilla, por gjithnjë ia ka hedhur. Ma hodhe një herë është faji yt, ma hodhe dy herë është faji i të dyve, ma hodhe për herë të tretë është faji im, thotë populli. Pra në gjithë këta vjet, me polici, me prokurori, me gjykata, kanë dështuar me hir a me pahir, herë me dashje e herë pa dashje, që ta dënojnë këtë njeri për veprat e tij. Dhe natyrisht që kush ia hedh një herë, thjesht nxitet të bëjë prapë keq e më keq. Dështimi i tretë i shtetit.

Na u tha se Ardiani ishte skeduar nga policia dhe, sipas letrave, teorikisht sa herë që ndërronte vendbanim duhej të raportonte adresën e re. Po kush nga policia e vuri re mungesën e tij në adresën e vjetër dhe vuri alarmin që ky njeri paska ikur? Dështimi i katërt i shtetit.

Ardiani ishte nga Përrenjasi, kishte ardhur në Tiranë pa transferuar vendbanimin e vjetër, banonte me qira në një shtëpi të ndërtuar pa leje, të një dibrani (në mos gabohem) që ia kishte lëshuar shtëpinë e tij pa një kontratë qiraje të regjistruar sipas ligjit. Pra, gjithçka pa leje, pa letra, pa dokumente, pa, pa, pa. Të gjitha këto janë detyrë e shtetit, i cili në këta 100 vjet nuk ia ka dalë dot t’i pajisë qytetarët e vet me dokumente e letra. Po të ishin letrat, në një prej tyre do i kishte ngecur puna dhe do të ishte dhënë alarmi. Dështimi i pestë i shtetit.

Edhe një herë që arritën ta zënë, megjithëse tani po del se ngjarja paska qenë shumë më e rëndë sesa u përpoq ta kalojë prokuroria dhe gjykata, e kanë dënuar vetëm me gjobë. Po të kish përfunduar në burg që atëherë, shumë gjëra do të kishin shkuar ndryshe. Dështimi i gjashtë i shtetit.

Nëse do të kish rënë në burg që herën e parë, natyrisht që do të duhej t’i bënin një vizitë psikiatrike, nga e cila do të kish dalë në pah deviacioni i tij, gjë që do të kërkonte shtrimin e tij në klinika të specializuara, apo trajtimi i tij me një prej 100 mënyrave që ka krijuar bota e qytetëruar për të tilla raste. Por të tilla klinika në Shqipëri nuk ekzistojnë. Dështimi i shtatë i shtetit.

Deri në vitin ’90 ishim një shoqëri naive, që nuk njihte as prostitucion, as LGBT, as të drejta të tyre e asgjë prej gjëje. Notonim të qetë në ishullin tonë, duke ia lënë barrën e të menduarit atyre që kishim mbi krye. Pastaj papritur gjithçka u shemb dhe u gjendëm midis botës së egër. Ashtu sikundër kalamajtë që lihen pa fre, mësojnë të këqijat para të mirave, edhe ne u lëshuam pa fre udhëve të botës, duke mësuar gjithë të keqen e botës, pa marrë asnjëherë seriozisht edhe detyrimin për përgjegjësitë e së mirës. Të gjendur nën bombardimin e të drejtave të LGBT-ve, të internetit dhe televizorit, të mbytur në pornografi të çdo lloji, të dëshirës për të provuar çdo lloj molle të ndaluar, natyrisht që nuk mund të presim që shtresa të pakulturuara të shoqërisë, të jenë në gjendje vetvetiu të ngrenë sisteme morale të qëndrueshme që janë në gjendje të ndajnë të mirën nga e keqja, të lejueshmen nga e palejueshmja. Të tilla barriera duhet t’i ngrejë shoqëria në bashkëpunim me shtetin e vet. Nuk i ngritëm. Dështimi i tetë i shtetit.

U legalizuan dhe na mbytën gjithfarë lloj perversitetesh, deviacionesh dhe termash. Homoseksualë, tranvestitë, homofobia, lesbike, transeksualë, pedofobia, pink, gender, e ç’t’u them tjetër. Një shoqërie të prapambetur, t’i hedhësh përsipër gjithë këtë lumë çudirash, nuk mund të presësh të jetë në gjendje të dallojë që për shembull homofobia është e keqe, ndërsa pink është e mirë; apo që pederastia është e lejueshme, ndërsa pedofilia jo. Por shteti ynë kish hall që, për t’u dukur se plotësonte kushtet e asocimit, të firmoste çdo lloj kërkese holandezësh, pa vrarë mendjen se ç’vjen pas. Dështimi i nëntë i shtetit.

Rrjetet sociale këto ditë janë të mbushura me qindra komente rreth kësaj ngjarjeje, prej të cilave po ndaj dy kategori. Njëri takëm i bien shkurt me “larg b… sime”. Secili mbyllet në guaskën e vet, mundohet të sigurojë fëmijën e vet, ndërron çelësin në bravën e vet, përpiqet të vjedhë me sa ka mundësi për të siguruar një shtëpi më të sigurt për vete apo, po ia doli, për të ikur fare me laçkë e plaçkë diku në Europë. Pra i kthehemi stilit të vjetër që kemi dy mijë vjet që e provojmë, ose ia mbathim ku të mundemi dhe sa më larg – dhe ndaj kemi mbushur botën e s’ka vend ku nuk na gjen – ose mbyllemi në kullën tonë.

Takëmi tjetër shkruanin: mjaaaft, nuk duam të dëgjojmë më për të tilla ngjarje, hiqini nga media, fshijini nga kompjuteri! Ashtu sikundër fëmijët e vegjël që, kur gjenden para një rreziku, mbyllin sytë me duar që të mos shohin se ju duket sikur kështu rreziku ikën. Por kështu bëjnë fëmijët dhe jo popujt. Ose e thënë ndryshe, kur popujt sillen si fëmijë, domethënë se nuk janë të pjekur për realitetin ku jetojnë. Dhe ky është njëkohësisht edhe dështimi i dhjetë i shtetit shqiptar, edhe dështimi i madh i yni si shqiptarë.

Të paaftë që për 1000 vjet të ndërtonim një shoqëri kompakte, të paaftë që për 100 vjet të krijonim një shtet të aftë; të paaftë që për 20 vjet të krijojmë një shtet modern; si mund të presim që Ardiani, që është thjesht produkt i gjithë këtyre paaftësive, të jetë burrë i mirë!

Top Channel