Një agjent amerikan qëlloi gabimisht dhe për pak vrau Presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, në një incident të mbuluar me shumë kujdes nga opinioni publik në vitin 2006.
Këto të dhëna u publikuan në një libër të ri, “Brenda Shtetit: Në industrinë e sekreteve të qeverisë”, shkruar nga një ish-nënpunës i lartë amerikan.
Sipas historisë së publikuar, një agjent ishte duke mbajtur një “shotgun”, pranë një makine të presidentit të atëhershëm George Ë.Bush, kur arma qëlloi gabimisht, në mënyrë të papritur.
Agjenti i Shërbimit Sekret Amerikan, i ngarkuar me mbrojtjen e presidentit amerikan dhe udhëheqësve të lartë të shteteve të tjera, ndodhej në hyrje të selisë së OKB-së në momentin e të shtënës.
Në një rastësi të pabesueshme, në atë moment, në hyrje të selisë ndodhej Presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, i njohur si një kundërshtar i ashpër i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i shumëkritikuar për këmbënguljen në avancimin e programit bërthamor të vendit të tij.
Sipas librit, plumbi i qëlluar nga arma kaloi shumë pranë Ahmadinejad, ndërsa agjentët u treguan të shpejtë për të mbuluar ngjarjen.
Një rastësi unike, e cila nëse do të kishte pasur një fund tragjik, mund të kishte shkaktuar një krizë ndërkombëtare të përmasave të pabesueshme, pasi me shumë gjasa, askush nuk do të besonte versionin që “armiku i shtetit”, u vra rastësisht, në hyrjen e selisë së OKB-së në Nju Jork.
Top Channel