“Jong-un, i paqëndrueshëm mendërisht”

18/03/2013 15:50

Një prej kongresmenëve më të rëndësishëm amerikanë shprehu shqetësimin e tij mbi “qëndrueshmërinë mendore” të diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, pas disa muajsh deklaratash provokuese dhe sjellje agresive të shtetit komunist, zotërues të armëve bërthamore.

”Korea e Veriut ka në drejtimin e saj një 28-vjeçar, i cili po përpiqet të fuqizojë ndikimin e tij mbi ushtrinë dhe ushtria është e etur për të shfrytëzuar këtë moment, për të përforcuar ndikimin e saj mbi vendin”, vlerësoi republikani Mike Rogers, kryetari i Komitetit të Inteligjencës në Kongres.

”Kombinimi i këtyre dy faktorëve mund të rezultojë vërtet fatal”, shtoi ai.

Tensioni në Gadishullin Korean ka ardhur në një spirale përshkallëzimi të rrezikshëm që prej muajit dhjetor, kur Peniani lëshoi në hapësirë një satelit, nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë veprimi dhe kreu një shpërthim bërthamor, në muajin shkurt, në kuadër të testimit të armëve të reja.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve në kundërshtim me paktet dhe zotimet e firmosura nga Korea e Veriut përpara OKB-së, vendi komunist u bë subjekt i sanksioneve të reja ekonomike, të cilave Peniani iu përgjigj në mënyrë sfiduese, duke anulluar armëpushimin e vitit 1953 me Korenë e Jugut dhe duke rikthyer gjendjen e luftës, së bashku me kërcënimet për shkatërrimin e plotë bërthamor.

”Fakti që Korea e Veriut po kërcënon hapur Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një sulm bërthamor është një problem serioz. Kjo është shumë më tepër shqetësuese, pasi ne nuk e njohim qëndrueshmërinë mendore të liderit të tyre që përsëris edhe një herë, është vetëm 28 vjeç. Ne thjesht hipotezojmë dhe kemi besim që këto kërcënime nuk do të konkretizohen në veprime konkrete, por këtë nuk mund ta dimë me siguri”, theksoi kongresmeni Rogers.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA