Jo gjithmonë Italia është vënë në qendër të vëmendjes për mirë.
Zgjedhjet e fundit dhe amullia e krijuar e kanë komplikuar së tepërmi
gjendjen në vend, por rrezikojnë të influencojnë për keq edhe zhvillimet
në Europë.
Situata e vështirë jo vetëm atje, por edhe në Greqi, Spanjë e Portugali, ka vënë në pikëpyetje mundësinë e implementimit të reformave dhe qëndrueshmërinë e solidaritetit në kontinentin e vjetër.
Ekspertët mendojnë se zgjedhjet e 24 dhe 25 shkurtit në Itali hodhën një hije të rëndë mbi këtë ide. Sipas tyre, të tilla zhvillime tregojnë se, për disa vende, më tepër rëndësi ka çfarë ndodh brenda kufijve, se sa në kontekstin europian.
Pyetja, që shtrohet tani, është nëse Bashkimi Europian gjendet para sfidave të reja dhe a mund të krijohen atje blloqet e interesave? Rreziku më i madh duket se është ai i dallimeve mes vendeve perëndimore dhe jugore në BE, jo vetëm prej krizës ekonomike, por edhe për shkak të mungesës së vullnetit politik, në disa shtete të jugut për të ndërmarrë hapat dhe masat e duhura.
Shpresat janë që gjendja politike në Itali të zgjidhet sa më parë. “Nëse vjen në pushtet një qeveri, e cila nuk do të vazhdojë rrugën e ish-kryeministrit Mario Monti, atëherë me të vërtetë duhet të shqetësohemi”, thonë zyrtarë në Bruksel.
Zgjedhjet në Itali tronditën BE-në, por shumica e politikanëve kanë vendosur të heshtin. Ndër të vetmit, që guxoi të dilte hapur me qëndrimin e tij, sipas “Deutsche Welle”, ishte kryetari i Parlamentit Europian, Martin Schulz, i cili tha se ajo çfarë ndodhi në Itali ishte një lloj apeli për bllokun, që të heqë dorë nga politika e shkurtimeve dhe të orientohet më shumë drejt investimeve.
Kjo duhet të përcillet me një disiplinë buxhetore dhe me një politikë investimesh, e cila do të siguronte vende të reja pune, aq të domosdoshme, sidomos për të rinjtë.
Top Channel