Lacio-Gladbah, plagosen me thikë 5 tifozë gjermanë

21/02/2013 21:35

Incidente shoqëruan ndeshjen e Europa League midis Lacios dhe Borusias së Mynshengladbahut, mbrëmjen e së enjtes, pasi pesë tifozë gjermanë u plagosën me thikë në pjesë të ndryshme të Romës.

Ultrasit e klubit italian, të njohur për prirjet e tyre neonaziste dhe vandaliste, ishin përgjegjësit e këtyre sulmeve.

Të njëjtët tifozë u bënë protagonistë negativë edhe për sulmin ndaj tifozëve të Totenhamit në ndeshjet e grupit, kur disa anglezë u dhunuan brenda një bari, ndërsa dy prej tyre rrezikuan jetën pas plagëve me thikë.

Sulmi i parë mbi mbështetësit e Mynshengladbahut ndodhi në sheshin e njohur të kryeqytetit italian, “Piazza di Spagna”, kur tre tifozë gjermanë u qëlluan me thikë. Ata u shoqëruan në një spital, ku janë jashtë rrezikut për jetën.

Një tifoz 50-vjeçar i gjermanëve u sulmua në një zonë tjetër qëndrore të kryeqytetit, ndërsa i njëjti agresion u përsërit ndaj një tjetër tifozi, në dalje të hotelit ku po qëndronte.

Policia ka nisur një hetim zyrtar, ndërsa UEFA u shpreh se do të presë përfundimet e policisë, përpara se sa të vendosë nëse do të marrë edhe ajo masa disiplinore ndaj Lacios.

Pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë, klubi ku Igli Tare është drejtor sportiv, arriti të fitonte në “Olimpico” me rezultatin 2-0, duke siguruar kualifikimin për 1/8-tat e Europa League.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA