Gjykata dhe puçi i 21 janarit

10/02/2013 14:20

Skënder MINXHOZI – Nuk u fol shumë për grushtin e shtetit, në orët që pasuan vendimin e gjykatës për të vrarët e 21 janarit. Askush nga politikanët, e të tillë folën shumë në ditët e fundit, nuk luajti hapur me këtë kartë të vjetruar, që ka mbetur në sirtarët e Kuvendit, në formën e një komisioni hetimor që as anëtarët e tij nuk ia dinë më namin e nishanin. Edhe Berisha, autori i vetëm dhe i pazëvendësueshëm i teorisë së puçit, duke folur dje para të rinjve europianë, e “modifikoi” në ekstrem listën e arsenalit të armëve që opozita kishte përdorur, sipas versionit zyrtar, më 21 prill. “Na sulmuan me tulla dhe dinamit”, tha kryeministri, duke bërë sikur i kishte “harruar” çadrat-pistoletë, thikat me helm, makinat e mbushura me eksploziv, detashmentet e armatosura që prisnin s’dihet se ku, s’dihet se cilin sinjal, s’dihet se nga kush etj., etj. Sot grushti i shtetit i 21 janarit ka lënë pas një nebulozë gazmore batutash e barsoletash që i gjen në të gjitha rrjetet sociale, e që ushqen sensin e humorit të shqiptarëve.

Edhe vetë teorema e grushtit të shtetit është katandisur sot në nivelin e një batute të “Portokalli shou”, aq sa demokratët nuk kanë guxim as ta mbledhin qoftë dhe për sy e faqe, komisionin qesharak të puçit, prej më shumë se një viti e gjysmë. Duhet lodhje dhe fantazi, që të gjesh nëpër rrugët e Tiranës qoftë dhe një grusht njerëzish, që vazhdojnë të besojnë te përralla e “grushtit”.

E megjithatë, karkasa e kalbur e këtij trillimi vazhdon të endet në politikën shqiptare, bashkë me rinovimin ciklik të afatit të komisionit parlamentar përkatës, që votohet mes të qeshurash nga mazhoranca. Dhe jo pa qëllim. E gjitha kjo komedi e ka një sens, një arsye të pathënë, një qëllim të mbrapshtë, një përllogaritje cinike nga pas.

Duke mbajtur në këmbë për më shumë se dy vjet “kufomën” e grushtit imagjinar të shtetit, qeveria është përpjekur t’i gjejë rregullisht vetes një justifikim, një alibi, për mynxyrën njerëzore që shkaktuan forcat e saj të sigurisë, duke vrarë njerëz të paarmatosur dhe, si u provua katërcipërisht në ditët që pasuan, tërësisht të parrezikshëm për institucionet. Duke ushqyer versionin e grushtit, me të gjithë makinerinë e saj propogandistike e mediatike, demokratët patën dhe kanë ende intuitën se vetëm një ngjarje e rëndë, qoftë edhe imagjinare, do t’i shpëtonte nga një përgjegjësi po aq e rëndë për të vrarët dhe për represionin ekzemplar e të panevojshëm të treguar në atë ditë të errët për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë.

Kjo është nyja lidhëse në pamje të parë e padukshme, mes puçit të sajuar dy vjet më parë nga hiçi, e vendimit të fundit të Gjykatës së Tiranës, që e la totalisht jetim fajin për vrasjen e katër shqiptarëve në mes të bulevardit. Veçse po të lexosh dispozitivin e vendimit, me të cilin gardistët u shpallën të pafajshëm, kupton se kjo lidhje nuk është edhe aq indirekte. Gjykata shpalli se kreu i Gardës dhe gardisti i akuzuar kishin vepruar në mbrojtje të institucionit. Pra, nënkupto se janë vrarë njerëz për të mbrojtur institucionet në një situatë ekstreme. Kushte të jashtëzakonshme (grusht shteti), pasoja të jashtëzakonshme (katër të vrarë).

Maisja imagjinare e puçit, u ka shërbyer si gjethe fiku gjyqtarëve, për të justifikuar zerimin e 48 vjetëve burg të kërkuara nga prokuroria, për të hedhur poshtë me një lehtësi shokuese ekspertizën e FBI-së që i gozhdonte krerët e Gardës dhe për të çuar në shtëpi nën diçiturën “i pafajshëm” të gjithë të akuzuarit e 21 janarit. Ata që janë tallur këto dy vjet me përrallat e Berishës me grusht shteti (ndër të cilët edhe autori i këtyre rreshtave), kanë rastin sot të shohin sesi një sajesë groteske është përdorur e po përdoret për të shpëlarë faje, për të ribërë karriera dhe për t’u përdorur si karburant në luftën politike. Puçi nuk ka ndodhur, por ai sapo shpëtoi nga një burg i gjatë disa prej fajtorëve. Jo më kot dosja e grushtit imagjinar të 21 janarit vazhdon të flejë e patrazuar në sirtarët e Jozefina Topallit. Sepse pak rëndësi ka nëse ka pasur puç, rëndësi ka që me këtë lëvere të mbulohet shëmtia dhe makabriteti i shtetit përballë popullit të vet më 21 janar 2011.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA