“Top-Story”, mesazhet e Clinton

01/11/2012 21:30

Vizita e Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, në fillimin e muajit që do të shënojë 100-vjetorin e pavarësisë, ishte një ngjarje historike, që edhe një herë tjetër konfirmoi raportin e ngushtë midis Shqipërisë dhe aleatit të saj të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, në pjesën e dytë të fjalimit të saj në Kuvend, Clinton dha një listë leksionesh, njëkohësisht detyrash që klasa politike duhet të plotësojë, prandaj kjo vizitë nuk ishte vetëm festive, por edhe reflektive për politikën shqiptare.

E si çdo të enjte, për të analizuar domethënien e plotë dhe mesazhet e vizitës së zonjës Clinton në Tiranë, emisioni “Top-Story” i Sokol Ballës ofroi për publikun një panel ekspertësh, të cilët u ndalën gjerësisht në këtë ngjarje historike, si Fatmir Mediu, ministër i kabinetit Berisha dhe kryetar i Partisë Republikane, Ben Blushim, anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste, Lysien Bashkurti, sekretar i marrëdhënieve me jashtë i Aleancës Kuqezi dhe Fatos Tarifa, diplomat e ish-ambasador i Shqipërisë në Uashington.

Duke nisur fjalimin e tij, zoti Blushi e konsideroi mbërritjen e Clinton në kryeqytetin shqiptar si një ngjarje jo vetëm historike, por edhe një frymëzim të madh për kombin. “Për ne që ishim në sallë ishte një fjalim veçanërisht frymëzues, pasi emocionet që ndien në atë sallë, janë shumë më të forta se sa nga televizori. Ky fjalim është edhe më i rëndësishëm për shqiptarët, që në 100 vjet histori, por sidomos në 20 vjet demokraci, kanë pësuar një sërë zhgënjimesh dhe kanë nevojë për frymëzime të tilla”.

Më analitik në analizën e tij, zoti Mediu e konsideroi fjalimin e Sekretares së Shtetit në Parlament si “jo vetëm një kartolinë urimi, por reflektim i marrëdhënieve reciproke. Unë do t’i shtoja asaj që thotë Beni për një fjalim frymëzues, që të bën të reflektosh thellë, edhe një emocion të madh njerëzor që na bën të reflektojmë për të gjithë ato kërkesa dhe kritika ndaj forcave politike shqiptare, për të funksionuar së bashku për të mirën e vendit”.

“Clinton dhe Obama përjetuan një prej dueleve më të ashpër për fitimin e kandidaturës presienciale të demokratëve në vitin 2008, por siç theksoi ajo në Kuvendin tonë, sot punojnë së bashku për shkak të dashurisë së tyre për vendin. Ky ishte një mesazh i madh për politikën shqiptare”, vuri në dukje Mediu.

“Diplomatike dhe e drejtëpërdrejtë”, përcaktimi i ish-ambasadorit tonë në Uashington, Fatos Tarifës. “Një fjalim i informuar, historik sepse është 100-vjetori, por një vizitë edhe më e rëndësishme për Kosovën se sa Shqipërinë. Një vizitë e kryer në kuadrin e një turi ballkanik, por shumë e rëndësishme. Nga Hillary Clinton vetëm një fjalë të tillë mund të prisje”.

Përballë një kritike të kamufluar shkëlqyeshëm me doza diplomatike dhe një përshtypje se Clinton goditi politikën shqiptare me pambuk, Bashkurti vlerësoi ftesën për përfaqësuesit e AK-së në pritjen për Clinton. Ai tha se partia që ai përfaqëson është pjesë e patriotizmit liberal europian dhe nuk ka asnjë lidhje me patriotizmin ballkanik që shkakton problem.: “Ky ishte një fjalim tipik i i diplomacisë publike amerikane, por edhe i kushtëzuar nga marrëdhënie shumë specifike 100-vjecare mes dy vendeve. Clinton erdhi të ndajë një përvojë të madhe historike të marrëdhënieve midis dy shteteve. Figura shumë të mëdha të shtetit amerikan si Ëilson, Roosvelt, Reagan, Bush, Albright, Beker, janë një radhë liderësh politikë dhe diplomatikë që kanë ndarë në mënyrë ose një tjetër, historinë e jetës së tyre me Shqipërinë dhe shqiptarët. Natyrisht, gëzimi dhe entuziasmi gërshetohen në këtë fjalim edhe me aty që ajo e quajti potenciali i fjetur i një vendi, potenciali i shpërdoruar i këtyre viteve të fundit. Fjalimi përshkrohej nga një frymë pozitiviste, inkurajuese dhe nxitëse, por ka një frymë skepticizmi për të ardhmen europiane, prandaj kjo frymë inkurajuese është shumë pozitive për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Vizita e Clinton në Tiranë përfundoi me një takim me liderin e Partisë Socialiste, Edi Ramën, i cili u komentua gjerësisht në studio nga Ben Blushi. Uashingtoni, në fakt rriti dukshëm dozën e skepticizmit ndaj opozitës në 21 janar 2011, duke mbajtur një qëndrim të rreptë dhe ndëshkues në zgjedhjet e korrikut.

“Jam i bindur që sot, për shumicën e shqiptarëve, kjo vizitë ka lënë një shije shumë të mirë. Clinton foli në Parlament si zëdhënëse e popullit shqiptar, nuk tha gjërat që SHBA e Europa kërkojnë nga ne, por ajo që ne kërkojmë nga vetja. Prandaj është një vizitë e ndryshme, pasi Sekretarët e tjerë kanë ardhur të kërkojnë një qëndrim, të bëjnë pjesë Shqipërinë në një aksion ndërkombëtar, por me Clinton nuk u nënshkrua asnjë marrëveshje, nuk u bë asnjë bisedë e këtij lloji”, nisi të shpjegojë raportin e administratës amerikane me Partisë Socialiste, Ben Blushi.

“Clinton përdori një fjalë që nuk e prisja, “muaj kritik””, vazhdoi Blushi. “Kjo do të thotë që 6-8 muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë. Opozita, pa dyshim ka arsye të jetë e frymëzuar për një Shqipëri të reformuar, por edhe në përgjithësi shqiptarët mund ta bëjnë këtë, pasi janë një popull që në 100 vjet kemi qenë të shmangur ose të mënjanuar, por sot jemi pjesë e Natos, afër BE-së. Clinton tha qartë “jeni europian, por që të bëheni me të vërtetë pjesë e BE-së duhet të ndreqni dy probleme kryesore”. Dhe kjo është raporti me zgjedhjet e demokracinë dhe korrupsionin, dy çështjet për të cilën opozita prej kohësh ka ngritur zërin”, theksoi Blushi.

***

Për Sekretarin për Marrëdhëniet me Jashtë të Aleancës Kuqezi në fjalimin e Clinton mund të kapeshin 3 momente, e para që bënte thirrje për zgjedhje me standarde, e dyta brenga e diplomacisë amerikane për atë që po ndodh në Shqipëri dhe konsolidimi i demokracisë: “U bëj thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme me standarde. Kemi 22 vite që prodhojmë standardin e zgjedhjeve të manipuluara. Është fakt që ka tre fjali urdhërore të Clinton 1) Bëni zgjedhje me standarde, 2) duajeni kombin me shumë se sa interesat politike 3) konsolidoni parimet bazë të demokracisë së përhershme”, tha zoti Bashkurti.

Ndryshe argumentoi kreu i republikanëve, Fatmir Mediu: “Kemi ndërtuar një demokraci në këto 20 vite ku gjithsecili ka vendosur një tullë. Nuk vjen Sekretarja e Shtetit në një vend që është problematik ku nuk ka partneritet. Shqipëria sot është anëtare e Nato-s dhe është vlerësim për qeverisjen, për politikën dhe për interesin shqiptar në të gjitha trevat ky është, një mesazh që duhet parë në realitet të ri marrëdhënien tonë politike. Zëri ynë duhet të jetë pranë cdo vendi europian, por kemi disa pengesa të tjera politike në vend që duhet të zgjidhen për integrimin”, tha Mediu.

Ndërsa deputeti socialist Ben Blushi kërkoi, që sipas tij, vizita e Clinton të mos politizohet: “Të mos e politizojme vizitën e Clinton. Do arrijmë apo jo të gjejmë konsensus? 3-4 javët e ardhshme janë të rëndësishme, por më të rëndësishme janë zgjedhjet e vitit të ardhshëm, një moment kthese. Unë e shoh 2013 ku mund të rrimë ku jemi ose mund të bëjmë një hap përpara. Nëse cënohen zgjedhjet i largohemi BE-së, klasa politike bëhet e rrënuar në sytë e popullit shqiptar, ekonomia rrënohet në një konflikt politik të ashpërsuar më shumë se kaq. Clinton në fjalim ka shumë paragjykime për Shqipërinë si klasë politike, por jo si popull”, tha Blushi.

Ish-ambasadori shqiptar në Uashington vlerësoi se mesazhi i Clinton kishte të bënte me ndërtimin e një modeli demokracie, nën shembulline Kroacisë: “Në Kroaci Clinton tha se është një model i demokracisë për Ballkanin, ndërsa në Shqipëri nuk e tha këtë, por tha që duhet të bëhet një model”, tha Tarifa.

Pjesa e tretë e Top Story iu dedikua vëmendjes së Shteteve të Bashkuara për Ballkanin. Të ftuarit në panel ranë në një mendje se përkushtimi i Uashingtonit në Ballkan është zbehur nisur nga prioritetet e diplomacisë amerikane si Afganistani, Pakistani, Iraku, Siria apo edhe vetë ekonomia në SHBA.

Më 6 nëntor amerikanët do të votojnë për të zgjedhur njërin mes Romneit dhe Obamës për 4 vitet e ardhshme. Por cili prej tyre shihet më i favorshëm për shqiptarët. Për deputetin socialist, Ben Blushi kushdo që të fitojë si shqiptarë është e njëjta gjë.  Mediu vlerësoi se republikanët janë më shumë agresivë në politikën e jashtme, ndërsa Bashkurti shtoi se shqiptarët kanë nevojë për njër rol aktiv të SHBA-së në Ballkan.

Top Channel