" /> ">

Nga Forumi i Gruas Socialiste në qytetin e Lushnjës, kryesocialisti Edi
Rama tha se “Programi PS është një rrugë dhe mënyrë e re për ta parë
Shqipërinë dhe se socialistët e kanë vizion për të ndryshuar realitetin
shqiptar, duke ua kthyer qeverinë njerëzve dhe duke e bërë qeverisjen
mjet për mbrojtjen e interesave të tyre”.

“Sot në Shqipëri, në shumë pjesë të Shqipërisë ka vajza që nuk shkojnë dot në shkollë. Sot në Shqipëri, në shumë pjesë të Shqipërisë ka vajza që mbarojnë shkollën dhe nuk shkojnë dot në punë. Sot në Shqipëri, në shumë pjesë të Shqipërisë ka gra dhe vajza që pavarësisht se kanë mbaruar shkollën, pavarësisht se kanë shumëçka për të ofruar duke punuar për këtë vend, mohohen në të drejtën e tyre për punë vetëm sepse janë gra ose sepse janë vajza. Ky është një mur paragjykimesh, i cili është shumë më tepër sesa ajo çka lidhet me politikën e ditës. Është një mur paragjykimesh që po e çemancipon në një pjesë të madhe shoqërinë tonë, që po e kthen atë mbrapa në zona të tëra periferike dhe veçanërisht në fshatra të varfra”, tha Rama.

Duke vlerësuar rolin e çmuar të gruas në Partinë Socialiste Rama tha se të angazhohesh me opozitën në kushtet e kësaj qeverie është shumë e vështirë.

“Unë e di mirë se çdo të thotë të angazhohesh me opozitën në kushtet e kësaj qeverie që realisht i përndjek nga pas, veçanërisht njerëzit e varfër. Veçanërisht njerëzit e papunë, veçanërisht njerëzit në familje në vështirësi ekonomike duke i kërcënuar në bukën e gojës dhe duke ju thënë se ka edhe më keq akoma nëse do të vazhdosh të merresh me politikë kundër nesh. E megjithatë ju duke ardhur këtu jepni një përgjigje shumë të qartë dhe një mesazh shumë të qartë për të gjitha gratë dhe vajzat e Shqipërisë me këtë prezencë të mrekullueshme duke ju thënë po, pikërisht se ka edhe më keq akoma, atëherë nuk ka kohë për të pritur sepse gjërat mund të bëhen më mirë dhe më mirë akoma, por nuk mund të bëhen vetë dhe mund të bëhen vetëm në qoftë se ne të gjithë së bashku angazhohemi në vijën e parë për liri, të drejta, shpresa dhe ëndrra që nuk mund të jenë të ndaluara për askënd në Shqipëri, qoftë burrë, qoftë grua, qoftë djalë, qoftë vajzë”, tha Rama.
 

Top Channel