PS kërkon përjashtim të 20 deputetëve të PD-së nga Kuvendi, reagon Gazment Bardhi: Akt i rëndë agresioni politik 

22/10/2026 16:27

Kreu i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi, e quan një përpjekje për të mbytur zërin e opozitës kërkesën e PS për masë disiplinore me përjashtim nga Kuvendi për 20 deputetët e demokratëve.

Bardhi akuzon mazhorancën për arrogancë dhe frikë nga qytetarët, ndërsa thekson se opozita nuk do të tërhiqet përballë presionit politik dhe do të vijojë betejën për demokracinë.

Reagimi i plotë:

Kanë humbur qetësinë, kanë humbur arsyen dhe po tregojnë hapur frikën nga qytetarët dhe opozita!

Përjashtimi i 20 deputetëve të PD-së nga Kuvendi është një akt i rëndë agresioni politik dhe një përpjekje e hapur për të goditur opozitën dhe për të mbytur zërin e qytetarëve që ajo përfaqëson.

Ata që qytetarët i kanë refuzuar dhe i kanë shpallur të padëshiruar, sot kërkojnë të përjashtojnë nga Kuvendi përfaqësuesit e opozitës. Ky është kulmi i arrogancës dhe i shpërfilljes së demokracisë parlamentare.

Kuvendi nuk është pronë e pushtetit dhe opozita nuk është në Kuvend me lejen e qeverisë, por me mandatin e qytetarëve! Ndryshe nga deputetët vasalë të klaneve kriminale, mbi të cilët rëndojnë akuza dhe dyshimet për lidhje me krimin e organizuar apo akte korrupsioni, deputetët e PD-së janë aty për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, për të denoncuar abuzimet dhe për t’i kërkuar llogari një pushteti që kërkon të sundojë pa kundërshtim.

Përjashtimi i deputetëve nuk e mbyll gojën e opozitës, nuk e fshin të vërtetën dhe nuk e ndal betejën për demokracinë. Përkundrazi, çdo përpjekje për të përjashtuar opozitën vetëm sa dëshmon frikën e pushtetit nga fjala e lirë dhe llogaridhënia.

Opozita nuk do të intimidohet, nuk do të heshtë dhe nuk do të tërhiqet përballë asnjë presioni politik. Demokracia nuk mbrohet duke përjashtuar kundërshtarët, por duke respektuar pluralizmin dhe vullnetin e qytetarëve.

Top Channel