21 janari, seancën tjetër deputetët e PS

26/09/2012 00:00

Me kërkesë të prokurorisë, gjykata e Tiranës vendosi të thërrasë të mërkurën e ardhshme për të dëshmuar për 21 janarin deputetët socialistë Tom Doshi, Paulin Sterkaj dhe Besnik Bare.

Dëshmia e deputetëve socialistë pritet t’i shtohet listës së gjatë të mëse 30 gardistëve që kanë dëshmuar deri më tani në proçesin penal, ndërkohë që janë në listë për të dëshmuar më shumë se 40 efektivë të tjerë.

Ndërsa prokuroria ka hequr dorë për të pyetur 17 prej tyre, njëri nga efektivët e gardës që nuk u paraqit në këtë seancë pritet të sillet me forcë nga policia në seancën e radhës.

Gjatë seancës, gjykata rrëzoi kërkesën e mëparshme për lirim nga burgimi të të akuzuarit Agim Llupo, si të pabazuar në prova.

Duke qenë se avokati mbrojtës i Llupos kishte argumentuar më herët se arma e përdorur nuk kishte numër serie por ishte gdhëndur për efekt të hetimeve nga prokuroria, prokurorët e kundërshtuan këtë fakt.

Gjykata u shpreh se ndaj Llupos është vendosur më herët masa e sigurisë së arrestit me burg dhe se nuk janë zbutur rrethanat dhe për këtë ai duhet të qëndrojë në qeli.

Top Channel