Shalsi: Në tre vjet, 9 ministri shpenzuan 14 milionë USD

25/09/2012 00:00

Mbi 14 milion dollarë, para të takspaguesve shqiptarë,  është shuma e
shpenzuar nga 9 ministri të qeverisë Berisha për atë që njihet si
reklamë shtetërore për të cilën, PS thotë se këto para, janë përdorur
tre vitet e fundit si propagandë qeveritare. Nga shuma prej 14 milionë
USD gjatë viteve elekroral 2009-2011 këto ministri shpenzuan mbi 9
milionë USD.

Në ditën e 9 të denoncimit të skandalit me reklamën shtetërore, deputeti socialist Eduard Shalsi i bëri një përmbledhje fakteve dhe shifrave duke iu referuar dokumentave zyrtare të firmosura nga titullarët e ministrive që kanë hedhur firmat për të paguar prodhimin dhe transmetimin e këtyre reklamave.

“Çdo fakt apo shifër që kemi publikuar deri më tani ka qenë e mbështetur në dokumente zyrtare.Këto tabela tregojnë një trafik të pastër, nëpërmjet të cilit para publike përdoren për të financuar fushata elektorale kundër opozitës, për të financuar hedhjen e baltës mbi opozitën, për të mbajtur me para klientët mediatikë të Sali Berishës. Një prej tabelave tregon shpenzimet e Qeverisë për reklama në vitet elektorale 2009-2011, plot 9 milionë euro të shpenzuara vetëm në këto vite elektorale. Në një tjetër tabelë tregon për këto ministri, shifrën totale të sporteve mediatike dhe të aktiviteteve që në total shkojnë rreth 14 milionë dollarë. Dhe kush i ka përfituar këto para? Natyrisht kjo është një pasqyrë që tregon qartë se si Promo e Klanit, apo Klani i Promos ka gllabëruar llokmën e luanit në këto financime”, tha Shalsi.

Milionat e parave të reklamave nuk kanë shkuar për të mirën publike,- tha deputeti Shalsi,- por për interesa private të oborrit familjar dhe të një klani shërbëtorësh të pushtetit të Sali Berishës.
 
“Ka dhe te tjera ministri dhe institucione në varësi që kanë shpërdoruar me të njëjtën papërgjegjshmëri paratë publike dhe kemi arsye të besojmë se shifrat janë shumë më tepër, dhe për nxjerrjen e te cilave do të vijojmë të punojmë. Natyrisht që media ka një rol të pazëvendësueshëm për të informuar publikun dhe është e domosdoshme të mbështetet me fonde. Por për të siguruar një media të lirë dhe të pavarur është e po aq e nevojshme që shpërndarja e parave publike të bëhet në mënyrë të drejtë dhe transparente dhe të mbështetur,jo mbi norma të verbëta politike, por mbi kritere të pastra transparente që mbështeten mbi shikueshmërinë dhe tirazhin.  Dhe kjo është ajo që Partia Socialiste do të bëjë me të ardhur në pushtet”, tha Shalsi.

Sipas opozitës, shifrat e denoncuara nga deputeti Shalsi javë vetëm një pjesë e asaj që këto 9 ministri kanë shpenzuar për reklama, pasi vetë Kryeministria besohet të kenë shpenzuar miliona dollarë të tjerë pasi ka patur një fond të veçantë për reklama.

Për TCH buxhete minimale, shumë herë më pak se TV  lokale dhe gazetat

Janë rreth 12 milionë dollarë paratë që kanë shpenzuar ministritë nga viti 2007 deri më tani për reklama dhe festime, sipas denoncimit të opozitës. Pjesën dërrmuese të këtij lumi parash, sipas Partisë Socialiste, e kanë marrë kompani, televizione dhe gazeta pranë qeverisë.

Për një javë rresht deputeti Eduard Shalsi ka bërë publike dokumenta zyrtare, denoncoi shifrat marramendesë të përdorura nga qeveria për reklamime në një kohë kur deklaron shkurtim fondesh dhe mungesë fondesh për operacione, siç ishte fikja e zjarreve që shkatërruan disa parqe kombëtare.

Dokumentat janë mbledhur zyrtarisht të firmosura dhe vulosura nga ministrat e kabinetit aktual, në përgjigjje të kërkesave të dërguara disa muaj më parë nga deputeti Erjon Braçe.

Top Channel