Berisha: Privatizimet të nevojshme

24/09/2012 00:00

Tre javë pas hapjes së ofertave për privatizimin e “Albpetrol”, kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se proçesi i vlerësimit të ofertave po kryhet me seriozitet dhe sipas etapave të përcaktuara nga ekipi shqiptar dhe konsulenti ndërkombëtar.

Por ajo që për kryeministrin Berisha është e papranueshme dhe joserioze, është qëndrimi i kreut të opozitës Edi Rama, kundër asaj që ai e quan privatizim i sektorit të naftës dhe heqje e së drejtës së qeverisë mbi pasurinë kombëtare. Ndërsa kryeministri përdor termin ligjor “privatizim të shoqërisë “Albpetrol”, të cilës i jepen të drejta konçesionare për 25 vjet”.

“Me këtë të drejtë nuk shitet as edhe një centimetër tokë, askërkujt, me këtë të drejtë i njihet e drejta një kompanie, që ato asete, apo pasuri, të cilat flenë pa vlerë nën tokë për qytetarin shqiptar, që të gjitha këto duhet të shfrytëzohen, duhet të kthehen në mall, të shiten të përpunohen, pra duhet të marrin vlerë. Më mirë t’i marrim këto të ardhura në mënyrë që të rrisim rrogat, pensionet, të bëjmë rrugët, apo t’i lëmë të flenë mineralet, naftën dhe pasuri të tjera, siç kanë fjetur mijëra vjet dhe jemi robtuar në varfëri?”, deklaroi Berisha.

Duke bërë një bilanc mes asaj çfarë fitojnë dhe asaj çfarë humbasin qytetarët nga dhënia me konçension e kërkimit, nxjerrjes, prodhimit dhe shfrytëzimit të naftës në Shqipëri, kryeministri tha se me privatizimin e “Albpetrol” humbet vetëm një e ardhur e papërfillshme për buxhetin, në formën e dividentit, që në 5 vitet e fundit të marra së bashku llogaritet në 230 mijë dollarë.

“I dhashë këto shifra për të parë sa qesharake janë, sa të vjetra janë pretendimet e zotit Rama se këtu po shitet Shqipëria, se këtu po shitet pasuria. Pra, çfarë ka këtu, mund të më thotë zoti Rama që po shitet Shqipëria, apo sipas kësaj logjike t’i lëmë gurët aty ku janë 1 mijë metra thellë, ta lëmë naftën 6 mijë metra thellë, të rrimë vetë dhe të flemë mbi to dhe të mos i kthejmë ato në vepra për qytetarët”, u shpreh Berisha.

Kryeministri beson se këto qëndrime të kundërshtarit të tij politik vijnë nga ajo çfarë kreu i qeverisë i cilëson si reminishenca enveriste të Edi Ramës dhe mosnjohje e tij për funksionimin e shtetit demokratik.

Në këtë frymë, kryeministri Berisha trajtoi edhe premtimin e zotit Rama për heqjen taksës së biznesit të vogël, e cila jo vetëm është përgjysmuar pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në 679 mijë lekë të vjetra në vit nga 1 milion e 422 mijë lekë që ishte gjatë qeverisjes së socialistëve, por kjo taksë sipas kryeministrit Berisha është themeli që mban në këmbë sistemin fiskal.

“Zoti Rama, dua t’ju bëj një pyetje; në rast se unë, kryeministër i vendit, deklaroj nesër se do të vendos heqjen e taksës së biznesit të vogël, çfarë do të thuash ti? Çfarë do të ndodhë në qoftë se unë bie në shkallën e papërgjegjshmërisë tënde? Por kjo që deklaron t’i tregon se nuk ke njohuritë më elementare të sistemit fiskal. Kjo do të thotë t’i presësh kësaj shisheje fundin, pavarësisht se fundi i shishes është disa milimetra, por sistemi përmbyset. Në qoftë se ti thua të heqim taksën e biznesit të vogël, ti bën shembjen përfundimtare të sistemit fiskal. Nga ana e sasisë, aktin e parë që nesër unë e bëj, por ato para 0.5% janë, por ato janë fundi i integritetit të sistemit. Në qoftë se e heq, atëherë qindra, mijëra manipulime, falsifikime, krijohen dhe sistemi shembet. Për çdo qeveri, për çdo buxhet, ky 0.5% mund të shumëzohet me zero, nuk ka asnjë dhimbje koke, por ama biznesi i  madh, njëlloj si një elefant dorëzohet dhe dorëzohet i tërë sistemi fiskal. Prandaj, i them zotit Rama, mos spekulo me këtë”, theksoi Berisha.

Kryeministri Berisha tha se të tilla premtime, që ai i cilësoi si “fantazmagorike” dhe që zoti Rama nuk i kishte në program kur drejtonte bashkinë e Tiranës, kanë si qëllim të vetëm mashtrimin e qytetarëve në funksion të marrjes së pushtetit me çdo kusht nga kreu i opozitës.

Berisha: Rama, qëllim vetëm bllokimin

Kryeministri Sali Berisha akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se ka si qëllim të vetëm bllokimin. “Edi Rama ka bllokuar Ligjin për Gjykatën e Lartë. Qëllimi i vetëm i Ramës është të bëjë pazare për pushtetin, por në pushtet nuk vihet duke bërë pazare”, tha Berisha.

Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, Berisha foli për procesin e privatizimit, që u sulmua ashpër nga ana e opozitës. Sipas Berishës, privatizimet janë bërë në konsulencë të ekspertëve të fushës.

“Dhënia me koncesion dhe e drejta e konsesionit e njohur që në kohën e Ismail Qemalit. Me ‘Albpetrolin” po i japim të drejtën e koncesionit një kompanie tjetër. E ftoj Ramën që të vizitojë kryeveprën e vërtetë të Hidrocentralit të Ashtës”, tha Berisha.

Shefi i qeverisë akuzoi Ramën se nuk ka njohuritë minimale për sistemin fiskal, duke u shprehur se nëse hiqet taksa për biznesin e vogël, shkatërrohet sistemi fiskal.

“Biznesi i madh ka kërkuar vetëm të mbrohet nga informaliteti i biznesit të vogël. Taksat e biznesit të vogël zenë vetëm 0.5 përqind të të ardhurave. Taksat e biznesit të vogël janë më të ulëta se në cdo vend tjetër”, u shpreh Berisha.

Top Channel