Panariti “rrëzon” marrëveshjen me Greqinë

20/09/2012 00:00

Të martën Kuvendi i Shqipërisë votoi unanimisht ligjin për heqjen e imunitetit, një ndër kriteret e Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Por sa pranë marrjes së këtij statusi jemi? Cilat kritere kemi përmbushur dhe cilat janë ende peng i politikës së Tiranës? Mes 27-es në Bruksel a ekziston ndonjë vend që mund të kushtëzojë marrjen e statusit? Kthimi në kufi i qytetarëve shqiptarë nga pala greke dhe ku është diplomacia shqiptare në lobimin për njohjen e Kosovës?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dha përgjigje Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti përballë panelit të gazetarëve Marin Mema, Aleksandër Çipa, analistit Lutfi Dervishi dhe nën drejtimin e Sokol Ballës në Top Story.

Në hyrje të fjalës së tij, kryediplomati shqiptar vlerësoi votimin e së martës në Kuvendine  Shqipërisë ku forcat politike bashkuan votat për të miratuar ligjin për heqjen e imunitetit, një ndër kriteret e Bashkimit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat më 10 tetor.

Zoti Panariti shprehu bindjen se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe shprehu bindjen për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sipas tij, vendi ka plotësuar atë që quhet “masë kritike” të kritereve dhe se hapat e tjerë duhet të kryhen në vazhdim. Ai përmendi ligjin për gjykatën e lartë dhe reformën parlamentare si të nevojshme, po ashtu edhe ligjin për administratën civile.

“Mendoj që Shqipëria është në rrugën e mbarë në realizimin e reformave të marrëveshjes me Komisionin Europian dhe imuniteti është një sinjal që vepron në rrugën e duhur. Unë jam shprehur se imuniteti nuk përbën kusht në mënyrë eksplicite, por në mënyrë implicite është pjesë e detyrës, pjesë e kriterit numër 8 për luftën kundër korrupsionit”, tha Panariti.

Por gazetari i TCH, Marin Mema u shpreh skeptik. Sipas tij janë një grusht i mirë i kritereve ende të paplotësuara, ndërsa për analistin Dervishi heqja e imunitetit është një sinjal pozitiv, por ajo që duhet të çrrënjeset është kultura e pandëshkueshmërisë.

Sa i përket “klimës” në Bruksel dhe a ka vende “mike” apo “armike” të statusit kandidat të Shqipërisë, ministri Panariti u shpreh optimist. Sipas tij ekziston një frymë pozitive sa i përket Shqipërisë.
Një pengesë e mundshme mund të mbërrijë nga Greqia. Athina ka dhënë sinjale “pakënaqësie” në lidhje me rrëzimin e marrëveshjes detare me Shqipërinë nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe në disa deklarata, zyrtarët grekë janë shprehur për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, megjithëse parlamenti vendas ende nuk e ka votuar.

Kryediplomati Panariti pritet të vizitojë Athinën në javën e parë të muajit tetor ku do të takohet me homologun grek, Avramopulos. Mes temave të nxehta mes dy vendeve, më “djegësja” mbetet marrëveshja e ujërave e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Ministri shqiptar tha se Tirana do të kërkojë një marrëveshje të re pasi qeveria nuk mund të shkelë një vendim kushtetues.

“Pozicioni ynë është respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të jetë në diskutim me palën greke për arritjen e një marrëveshje të re. Shqipëria ka interes për të ndërtuar një marrëveshje të re me Greqinë, jo vetëm për cështje të kufirit detar. Duhet të diskutojmë për zonat e ekskluzivitetit ekonomik dhe kjo duhet të jetë pjesë e marrëveshjeve midis dy vendeve”, tha Panariti duke mohuar ekzistencën e një marrëveshje, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ministri Panariti shtoi se në takime me palën greke do të diskutohen problemet të tjera të mprehta që kanë shqiptarët dhe qytetarët e dy vendeve, vecanërisht rregullimi i transportit dhe cështja e dokumentave, përfshirë këtu kushtet e zbatimit të marrëveshjes Shengen nga Greqia si dhe intensifikimi i dialogut dypalësh.

Pyetjes së gazetarit Sokol Balla nëse qeveria do të lëshojë territorin e vendit në këmbim të marrjes së statusit kandidat, zoti Panariti iu përgjigj kategorikisht jo. Sipas tij cështjet e kufirit detar dhe ajo e integrimit të Shqipërisë janë dy cështje të ndara pa lidhje organike me njëra-tjetrën.

Nga Korça, pak ditë më parë, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, njëkohësisht përfaqësues i minoritetit grek në Shqipëri e cilësoi marrëveshjen e ujërave me Greqinë në pëputhje me ligjet ndërkombëtare dhe hodhi nevojën e “përmirësimit” të legjislacionit tonë. Por kjo u kundërshtua nga analisti Lutfi Dervishi që argumentoi se ligjet dhe konventat ndërkombëtare, jo gjithmonë prevalojnë mbi ligjet e vendeve të vecanta.

Gazetari Marin Mema duke cituar Kodin Penal kërkoi nga prokuroria ndërmarrjen e hetimeve për të grupin negociator të marrëveshjes së rrëzuar, pasi sipas tij, kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

Vetë gazetari Mema, në muajin gusht ishte viktimë e trajtimit të padrejtë që rezervojnë autoritetet greke për shtetasit shqiptar. Atij iu komunikua vendimi i shpalljes “non grata” në tokën e shtetit fqinj me arsyetimin se përbënete rrezik për sigurinë kombëtare të Greqisë.
Në këto 22 vite tranzicion diplomacia shqiptare, për të gjitha shkaqet e mundshme, nuk ka zbatuar parimin e reciprocitetit me Athinën. A është koha për të zbatuar një politikë të tillë tani? Për ministrin Panariti reciprociteti është i nevojshëm, por ai s’duhet të shndërrohet në një rreth vicioz që përkeqëson situatën. Sipas tij duhen mekanizma të tjera bashkëpunuese jo vetëm me Greqinë por me gjithë rajonin.

Gazetari Aleksandër Çipa vlerësoi se ka njëfarë zbehje të diplomacisë shqiptarë në lobimin për njohjen e shtetit të Kosovës. Por ministri Panariti e mohoi dicka të tillë. Ai solli një shembull duke thënë se i kishte kërkuar Azerbajxhanit të njohë pavarësinë e Kosovës dhe vijoi se ka patur përparime në këtë fushë, përfshirë këtu njohjen e dokumentave të Kosovës edhe nga ato vende që nuk kanë njohur ende pavarësinë.

Përflitet për një vizitë të Ministrit të Jashtëm serb në Tiranë. Nuk ka ende një datë se kur mund të ndodhë kjo, megjithatë me rëndësi, nëse do të ndodhë është se cfarë do të bisedohet në të. Ministri Panariti tha se Shqipëria është e interesuar për bashkëpunim të thellë rajonal dhe në këtë kuadër nuk përjashtohet Serbia.

Pyetjes nëse në bisedimet mes Tiranës dhe Beogradit do të përfshihet Kosova, zoti Panariti iu përgjigj negativisht. Sipas tij, Shqipëria ka një qendrim për Kosovën, shtet të pavarur dhe se ligjet e saj duhet të shtrihen në të gjithë territorin. Ajo që do të bisedohet me Serbinë, tha Panariti, vec bashkëpunimit janë edhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Top Channel