Shpërthen Topi: Berisha Stalinist

19/09/2012 00:00

Bamir Topi shpërthen me tone të forta kundër Kryeministrit Sali Berisha,
një ditë pasi ky i fundit nga foltorja e Parlamentit i faturoi
ish-Presidentit disa çështje që lidheshin me drejtësinë.

“Kryeministri lëshoi sërish dje një lumë akuzash, fyerjesh, shpifjesh dhe denigrimesh duke tentuar të njollosë emrin tim, integritetin personal dhe atë institucional në cilësinë e ish kryetarit të shtetit. Kam bindjen se kushdo që e ka dëgjuar ka krijuar atë ndjesi që unë pata: një gjendje e çekuilibruar dhe humbje kontrolli për t’u mëshiruar. I njëjti njeri, i njëjti personazh, ka 22 vjet që baltos institucionet dhe jetën publike, njerëzit e ndershëm dhe kritikët e tij duke vënë në punë një makinë denigruese pushteti dhe mediatike, të denjë e të krahasueshme vetëm me udhëheqësin e tij shpirtëror në vitet e fundit të sundimit të tij.  Si politikan e kuptoj rënien e tij në nivele të tilla: sa herë që ai shikon një kërcënim elektoral apo ndodhet përpara një dështimi politik, e humbet kontrollin dhe është i gatshëm të bëjë gjithçka kundër rivalëve të tij, përfshirë dhe kërcënimet me jetën. Sikur sjellja e tij të ishte thjesht personale as unë dhe as bashkëpunëtorët e mi nuk do të merreshin me Sali Berishën. Veprimet e tij janë dëshmi se ai mbetet një pacient në fazë të rënduar mendore”, th Topi.

Bamiri Topi i ka dhënë përgjigje akuzave të Berishës, i cili përfshiu ish-kreun e shtetit në vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

“Ju e dëgjuat dje kur pak minuta para heqjes së imunitetit tha se nuk ka fakte, por me zhargonin e tij konfliktual, të një njeriu të paemancipuar, përçarës e baltosës, e lidhi emrin tim me vrasjen kriminale të gjyqtarit Konomi dhe pronat e familjes së tij. Kryeministri drejton policinë e shtetit, shërbimin sekret dhe ka detyrimin ligjor, por edhe të gjithë aksesin për informim zyrtar. Ai nuk heton, nuk zbardh të vërtetat e mëdha vetëm shpif sepse për të nuk ka rëndësi e vërteta, siç ka bërë në 22 vjet për të gjitha vrasjet politike e mafioze.  Lidhur me emërimet në gjyqësor: baltë e shpifje pafund, me shpresën se duke bërë kështu diçka do të mbetet. Çdo procedurë e KLD në emërimin e transferimin e gjyqtarëve është bërë edhe me votën e ministrave të tij dhe me votim të fshehtë të 15 anëtarëve të KLD-së, ku presidenti ka vetëm një votë”, tha Topi.
 
Kreu FRD-se u shpreh se Kryeministri Berisha operon me metodat e frikës, kërcënimit, shantazhit, baltosjes, gënjeshtrës dhe pabesisë dhe eshte kthyer ne një kërcënim për demokracinë.

“Fryma e Re Demokratike dhe mijëra e mijëra qytetarë në mbarë Shqipërinë janë të vendosur të ndahen nga ky model negativ, mesjetar dhe bolshevik i njeriut që hyri në politikë nga zyra e Ramiz Alisë. Unë jam në mision publik dyfish i motivuar dhe i vendosur për të parandaluar kalimin e vendit në pashallëk privat e familjar të Kryeministrit dhe për të ftuar çdo qytetar që beson në një Shqipëri normale, në një qeverisje të përgjegjshme dhe në një politikë të re qytetare e evropiane, – dhe së bashku me kurajë, vullnet e votë demokratike të largojmë nga pushteti stalinistin e fundit në Evropë”, tha Topi.

Spahiu: Berisha foto me vrasësit

Por Berisha ka marre nje pergjigje per akuzat e tij edhe nga Kreshnik Spahiu, kreu i Aleances KuqeZi qe per here te pare hedh dyshime te forta per lidhjet e bandave kriminale te Shijakut me Qeverine.

“Aleanca KuqeZi i bën thirrje shtetasit Sali Berisha të tregojë urgjentisht lidhjet e tij të ngushta me të pandehurin Ilir Xhakja dhe arsyet e lirimit të tij pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 8 Majit të vitit 2011. Aleanca KuqeZi e fton shtetasin Sali Berisha të botojë në të gjithë gazetat e tij fotot në të cilat ka dalë krahë për krahë me disa nga vrasësit e Shijakut, Sukthit, Maminasit dhe Durrësit në fushatën elektorale në qarkun e Durrësit. Gjithashtu Aleanca Kuqezi fton shtetasin Sali Berisha të publikojë listën e plotë të gjithë vrasësve të liruar me urdhër të ministrit të Drejtësisë në para zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011. Shumë shpejt qytetarët e këtij vendi do të njihen me një dosje të plotë të lidhjeve të Sali Berishës dhe Sokol Olldashit më eksponentë të rrezikshëm kriminalë në prag të fushatave elektorale dhe zgjedhjeve të mbajtura”, thuhet ne deklaraten e Aleances, sipas te ciles qeveria ushtroi kontroll ne KLD dhe nuk gjeti asnjë shkelje.

Top Channel