Rama: Shqiptarët e meritojnë statusin

19/09/2012 19:45

Pas takimit në Bruksel me komisionerin për Zgjerim Sthefan Fyle, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se populli shqiptar meriton statusin kandidat në këtë përvjetor dhe jo ndëshkimin e tretë nga BE për shkak të punëve të pabëra nga qeveria.

“Ne kemi ardhur këtu për të bërë avokatin e mirë të vendit tonë, duke sjellë një qëndrim dhe një mesazh shumë të qartë nga ana e opozitës shqiptare, që sipas nesh, qeveria nuk e meriton, por shqiptarët e meritojnë mbështetjen e Komisionit Evropian me propozimin për statusin e kandidatit”, deklaroi Rama.

“Shqipëria reale europiane është ende larg, por gjithësesi mendoj që qytetarët shqiptarë, të majtë a të djathtë, nuk e meritojnë të ndëshkohen për të tretën herë radhazi për shkak të keqqeverisjes dhe të detyrave të paplotësuara të shtëpisë nga ana e qeverisë, që nuk u bën të mundur një Shqipëri të standarteve europiane në jetën e tyre të përditshme”, theksoi ai.

Komisioneri Fule mirëpriti nga ana e tij miratimin e reformës së imuniteteve. “Të gjithë e dinë tashmë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria. Kjo ishte tema e bisedave, si dje me presidentin, ashtu dhe me liderin e opozitës sot, ku komisioneri Fyle foli për shanset për Shqipërinë. Ai tha se ka një perspektivë për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit, nëse ka një masë kritike rezultatesh të dhëna për 12 kriteret kyçe”, deklaroi zëdhënësi i komisionerit, Peter Stano, i cili vlerësoi votimin për heqjen e imunitetit.

“Komisioneri mirëpriti miratimin nga Parlamenti të sistemit të imuniteteve, me mbështetje të rëndësishme nga të dyja kampet politike. Është gjithashtu e rëndësishme të ruhet dialogu politik dhe të garantohet qëndrueshmëria dhe vijimësia e tij”, theksoi ai.

Raport-progresi i Komisonit, me vlerësimet se sa i ka përmbushur Shqipëria detyrat, publikohet më 10 tetor.

Top Channel