Në vijim të denoncimit të skandalit me reklamën shtetërore, PS ka
kërkuar që kryeministri Berisha t’i japë një përgjigje takspaguesve
shqiptarë për këto shpenzime miliona dollarë.

“Por nëse Aleksandri mund të dehet me paratë e publikut, është Sali Berisha që duhet të përgjigjet për shpërdorimin e parave për të dehur Aleksandër Frangajn. Është e kuptueshme përse e bën Saliu këtë. Që pastaj i dehuri i televizionit kombëtar Klan të mos i shërbejë me publikut, por të shajë mbarë e prapë opozitën për llogari të Saliut. Megjithatë, të sharat ordinere të Frangajt na bëjnë përshtypje vetëm si shkallë degradimi e pushtetit të kalbur të Sali Berishës. Ne nuk do na ndalojnë të zbulojmë një e nga një para shqiptarëve thasët e parave publike që janë zbrazur në oborrin mediatik të këtij pushteti”, tha deputeti socialist Eduart Shalsi.

Deputeti Shalsi duke iu referuar deklarimeve të kompanisë, e cila ka prodhuar spotet publicitare të qeverisë, u shpreh se Ministria e Mbrojtjes që ka shpenzuar 2,465,500 dollarë  dhe ajo e rendit 4,735,500 dollarë,  piksëpari duhet të kujdesen për gjëndjen e efektivëve të tyre.

“Duke u munduar të justifikojë të pajustifikueshmen TV Klan thotë se edhe në Gjermani qeveria bën reklamë për të rekrutuar ushtarë. Po e vërtetë është, por atje nuk i lënë makinat pa naftë dhe as paguajnë titullarët e ministrisë për të shkuar ushtarë, nuk i lënë ushtarët pa rroba e fasule për të paguar me paratë e ushtrisë ndonjë togë mercenarësh mediatikë që lufton me gjyle balte kundër opozitës. Imagjinoni për një çast, që në Gjermani qeveria të nxirrte thasë me para nga buxheti për të nxjerrë lajmet e një televizioni privat kancelaren duke thyer rekorde pluskimi mbi ujë apo për të lexuar fletë-rrufe të përditshme kundër opozitës”, tha Shalsi.

Do të vijojmë nesër,-  tha zoti Shalsi,-  të numërojmë thasët e parave publike që kanë dalë nga ministri të tjera për të paguar shërbimet e pushtetit abuziv.

Top Channel