Sekretari i përgjithshëm i NATO-s lavdëroi Shqipërinë për kontributin në Afganistan dhe operacione të tjera të Aleancës, ndërsa Presidenti Bujar Nishani përsëriti angazhimin e vendit në këtë mision deri në fund.

Anders Fogh Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s:

“Ju falenderojmë për mbështetjen tuaj të pakursyer dhe falenderojmë ushtarakët tuaj për kurajën dhe për profesionalizmin e tyre. Misioni ynë në Afganistan është i vështirë, por me strategjinë e vendosur ne po shënojmë përparime të rregullta”.

Bujar Nishani, President i Republikës:

“Shqipëria do të vijojë të mbështesë Aleancën për aq kohë sa do të nevojitet, madje edhe përtej vitit 2014, dhe ne do të respektojmë parimin e qëndrimit sëbashku me aleatët deri në fund të misionit”.

Në lidhje me Kosovën, në takimin e zhvilluar në selinë e Aleancës në Bruksel u përsërit qëndrimi i njohur se nuk mund të ketë ndarje të vendit apo ndryshim kufinjsh, ndërsa NATO do të vijojë të garantojë sigurinë dhe paqen në vend.

Bujar Nishani: “Jam i sigurtë se një ditë, Kosova do të bëhet një vend anëtar i NATOs dhe se Forcat e Sigurisë së vendit do të mund të shërbejnë krah aleatëve të tjerë për paqe dhe siguri”.

Anders Fogh Rasmussen: “Në Kosovë, NATO është garantues i sigurisë dhe stabilitet për më shumë se 10 vite. Ne kemi zbatuar mandatin e OKBsë në interes të të gjithë banorëve të Kosovës dhe nuk do të lejojmë rrëzimin e kësaj arritjeje. Samiti i Chikago-s dëshmoi qartë rëndësinë që NATO vijon t’i kushtojë Ballkanit ku integrimi euro-atlantik mbetet mënyra më efikase për të garantuar një stabilitet të qëndrueshëm”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përsëriti se dyert e Aleancës mbeten të hapura për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, politikë që mbështetet edhe nga një prej vendeve më të reja anëtare, Shqipëria.

Top Channel