Varfëria, me listë edhe te “Gabi”

18/09/2012 19:40

Krahas marrjes së ushqimeve jetike me liste, qytetarët e Saukut të Poshtëm, që ndodhet në territorin e Njësisë Bashkiake Nr.2 në kryeqytet, po me anë të listës janë duke blerë edhe veshjet në atë që rëndom njihet si tregu i “Gabit”.

Kjo situatë është identifikuar gjatë takimeve të deputetëve socialistë dhe të zgjedhurve vendorë, me tregtarë dhe biznesmenë të vegjël në zonën e Saukut.

“Vitet më përpara ka qenë më ndryshe, por sivjet ka rënë puna fare. Që të gjithë mallin që kam shitur, pa lekë e kam dhënë. As punë nuk ka, as xhiro nuk ka, asgjë nuk ka”, shprehet një prej shitësve të dëshpëruar të tregut.
Në mbyllje të takimeve me tregtarët e kësaj zone, deputeti Besnik Bare tha se jemi përballë një realiteti krejt ndryshe nga ai që kryeministri kërkon t’u shesë shqiptarëve çdo ditë.

“Përkundrejt asaj që thotë kryeministri, se Shqipëria dhe padyshim edhe Tirana është një parajsë ekonomike, se ka zhvillim, tregtia ecën shumë mirë dhe ka rritje nga viti në vit, realiteti është krejt tjetër. Siç mund ta shikoni edhe vetë bizneset janë pothuajse bosh, ndërsa fjalët e tregtarëve janë shumë të qarta, për gjendjen që ata po kalojnë. Shitja e mallrave dhe konsumi i tyre kanë rënë jashtëzakonisht dhe njëkohësisht një pjesë e mirë e banorëve marrin ushqimet me lista shumë të gjata, pa mundur të paguajnë edhe bukën e gojës”, u shpreh deputeti Bare.

Deputeti socialist ka përsëritur angazhimin e shkruar në programin e PS për një Rilindje Shqiptare për heqjen e taksës së biznesit të vogël, për heqjen e taksës së korrupsionit, për heqjen e taksës së kohës dhe përmirësimin real të klimës së biznesit në vend.

Top Channel