Majko kundër kritikave: Opozita koherente

18/09/2012 00:00

Votimi në Kuvend i heqjes së imunitetit i dha fund betejës së gjatë politiko-juridike mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita bashkoi votat me mazhorancën në këtë nismë, edhe pse më 6 gusht refuzoi ta bënte një gjë të tillë.

Por cfarë përfitoi opozita nga kjo lëvizje e saj? Për të folur për këtë në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel ishte deputeti, njëkohësisht relatori i socialistëve për paketën e ndryshimeve kushtetuese të rrëzuara nga mazhoranca, Pandeli Majko.

Zoti Majko tha se kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese nuk diskutohet humbja apo fitorja. Sipas tij, cështja e imunitetit ishte e mbyllur për opozitën, ndërsa pjesa tjetër, ajo që i takon propozimeve për ndryshimet kushtetuese, ishte pjesë e një pozicioni politik, që Majko paralajmëroi se shumë shpejt do të jenë në qendër të vëmendjes.

Kritikave për tërheqje të opozitës përballë presionit të mazhorancës, deputeti socialist iu përgjigj se nuk bëhet fjalë për tërheqje, por për qendrime racionale. PS, tha ai, ka mbajtur një qendrim koherent gjithmonë, edhe për rastin në fjalë, atë të heqjes së imunitetit.

Gjatë votimit për heqjen e imunitetit të gjykatësve dhe deputetëve, deputeti Majko kërkoi redaktimin e pjesës që ka të bëjë me të drejtat e deputetëve dhe gjyqtarëve. A tregonte kjo një mungesë serioziteti nga mazhoranca dhe opozita në kalimin e këtij vendimi tepër të rëndësishëm. Përgjigja për zotin Majko është jo.

“Jo! Nuk tregon mungesë serioziteti. Ndërhymë në momentin e fundit me bashkëpunimin e konstitucionalistëve në atë mënyrë që nuk vendos edhe deputetët edhe gjykatësit të barabartë me ligjin sepse gjykatësi nuk ka pronë fjalën, por vendimin”, argumentoi Majko.

Gjatë promovimit të nismës “Vepro Tani” në qytetin e Elbasanit, ambasadori amerikan Alexander Arvizu fajësoi klasën politike për lënien në vend të fundit në rajon përsa u përket proceseve integruese të vendit. Duke komentuar këtë deklaratë, Majko tha se konteksti i saj është shumë i qartë dhe thirrja vjen nga vendi më mik dhe strategjik i Shqipërisë, një thirrje që deputeti socialist e quajti, dhënie fund të kulturës “zulu”, kulturës “ky është territori im, ky është territori yt”.

Top Channel