Topi: PD e PS kanë monopolizuar votat

17/09/2012 19:15

Ish-presidenti Bamir Topi, në përurimin e degës së partisë së tij, Fryma e Re Demokratike, në Lezhë, ka hedhur akuza ndaj dy partive të mëdha të skenës politike shqiptare.

Në një fjalim me simpatizantët e FRD-së, Topi ka akuzuar Partinë Demokratike dhe atë Socialiste se kanë monopolizuar votën e shqiptarëve.

“Partitë e vjetra kanë monopolizuar votën e Shqiptarëve. Kryeministri Sali Berisha po e çon vendin drejt diktaturës. Berisha ka uzurpuar të gjitha institucionet, ndërsa opozita nuk bën opozitë”, ka deklaruar Topi.

Më tej kreu i FRD-së, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka përsëritur qëndrimin se partia e tij nuk do të bëjë aleancë me asnjë nga partitë e mëdha.

“Fryma e Re Demokratike dhe të bëjë aleancë me qytetarët shqiptarë dhe jo me partitë e vjetra”, është shprehur më tej Topi.

Më herët gjatë muajit, ish-kreu i shtetit ngjiti shkallët e selisë së FRD-së, duke zyrtarizuar rikthimin në politikën aktive dhe duke pranuar njëkohësisht ftesën e themeluesve të saj për të drejtuar këtë forcë politike.

Vendimin për t’u bërë pjesë aktive e FRD-së, Bamir Topi e komentoi si një mision qytetar për të bërë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve dhe vendit.

Edhe atë ditë nuk munguan kritikat e ashpra ndaj PD dhe PS, të cilat zoti Topi i cilësoi si përgjegjëse për tranzicionin e stërzgjatur.

“Njëzet vjet më parë qytetarët kishin shpresë e besim, ndaj ata mbushën sheshet e Shqipërisë duke kërkuar të bëhemi si gjithë Evropa. Pas dy dekadash ata kanë arsye të ndjehen të zhgënjyer nga politika, të ndjehen të papërfaqësuar nga parti e klane politike”, u shpreh ai.

“Fryma e Re Demokratike është përçuese e kësaj kërkese të gjerë qytetare për një frymë të re, për një sjellje e mentalitet të ri, për politikë të re dhe një axhendë të re për zhvillimin e demokracisë dhe progresin e vendit”, vijoi Topi.

Top Channel