Seria A, fitojnë Juve e Inter

17/09/2012 00:00

Juventus vijon në rrugën e fitoreve në kampionatin italian. Skuadra bardhezi këtë radhë mundi Xhenoan në stadiumin Marasi me rezultatin 3-1.

Ishin vendasit që kaluan në avantazh në minutën e 18 me Imobile, por Juventus arriti të kthejë rezultatin në  favor të tij.  Xhakerini barazoi rezultatin në minutën e 61 për bardhezinjtë, ndërkohë që Vucinic i dha avantazhin skuadrës së tij me anë të një 11-metërshi.

Vulosi përfundimisht fitoren për torinezët Azamoah që shënoi golin e tretë gjashtë minuta nga fundi i takimit.

Interi e harron humbjen e pësuar me Romën dy javë më parë. Skuadra zikaltër mundi Torinon në fushën e këtij të fundit me rezultatin 2-0. Interi kaloi në avantazh në minutën e 14 të pjesës së parë me anë të Diego Militos. Torino kishte disa mundësi për të barazuar në pjesën e dytë, por  porta e Interit mbeti e paprekur.

Në minutat e fundit të ndeshjes Kasano qetësoi trajnerin Stramacioni duke shënuar golin e dytë të takimit.

Me këtë fitore Interi ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve, 3 më pak se Juventusi kryesues.

Fitore shënoi edhe Lazio që mundi Kievon me rezultatin 3-1. Protagonist për skuadrën e drejtuar nga Petkovic u bë braziliani Hernanez që shënoi golin e parë dhe të tretë në këtë takim, ndërkohë që autori i golit të dytë ishte Klose.

Për Kievon golin e vetëm e shënoi Pelisier me 11-metërsh.

Me rezultatin 3-1 fitoi edhe Napoli ndaj Parmës në San Paolo. Kavani kaloi napoletanët në avantazh, ndërkohë që Pandev në minutën e 39 dyfishoi rezultatin. Parma shkurtoi diferencën në 2-1 me Parolon, por Napoli mbylli të gjitha llogaritë me Insinjen.

Në ndeshjet e tjera të serisë A të bie në sy humbja e Romës në Olimpiko me Bolonjën 3-2, Fiorentina fitoi me Katanian 2-0, Sampdoria mundi Peskarën në fushën e kësaj të fundit 3-2, ndërsa Siena – Udineze përfundoi me barazimin 2-2.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA