AK: Berisha me dy jelekë anti-plumb

17/09/2012 20:05

Aleanca Kuqezi ka kritikuar ashpër kryeministrin Berisha për shkarkimin e 10 efektivëve të policisë, për shkak se makina e tij u godit me qese mjelli nga ish-të përndjekurit.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi i AK, Rezart Balla e cilësoi këtë veprim si një lëvizje tërësisht politike, pasi kryeministri nuk ka shkarkuar efektivë për valën e kriminalitetit që ka përfshirë vendin.

“Qeveria dhe veglat e saj shfrytëzuan fundjavën për të bërë aktin e turpit të radhës, pezullimin e dhjetra efektivave të uniformave blu. Gjatë verës u grabitën e u plaçkitën aq shumë qytetarë, por asnjë polic nuk u pezullua për këtë situatë. Berisha po ndihet i kërcënuar nga qeset e mjellit të ish-të përndjekurve, të cilëve ai u mohon të drejtat”, deklaroi Balla.

Sipas tij, kjo lëvizje është një mesazh i qartë që kreu i qeverisë u dërgon forcave të rendit, se në zgjedhjet e ardhshme atyre do t’u duhet t’u binden urdhërave të tij.

“Berisha dhe vartësit e tij me pezullimin e 10 efektivave të policisë kanë paralajmëruar se në zgjedhjet e 2013-ës, policia do të bëjnë detyrën që u ngarkojnë ata dhe jo atë që u jep ligji. Berisha ka veshur dy jelekë antiplumb”, shtoi Balla.

Top Channel