“Shqipëria premtime boshe”

14/09/2012 20:15

Në një publikim të qendës së analizave Këshilli Evropian mbi Marrëdhëniet me Jashtë, ECFR, analisti politik Dimitar Bechev tërheq vëmendjen për harresën e Ballkanit nga Bashkimi Evropian, për shkak të krizës ekonomike.

“Periferia e periferisë”, e përshkruan Bechev vendndodhjen e rajonit, me ekonomi fort të lidhura me vendet problematike të BE-së, të cilat në këtë moment përballen me rritje të ulët ose negative, e njëkohësisht me rritje të papunësisë.

“Greqia, dikur një prej shembujve të rajonit, sot paralajmëron për rreziqet e evropianizimit pa transformim të thellë. Anëtarësimi në BE mbetet popullor në vendet e Ballkanit, por atje elitat flasin shpesh me gjuhën e BE-së, pa bërë punën”, qorton analisti Bechev nga ana tjetër.

Në lidhje me ecurinë e vendeve të rajonit drejt BE-së, Shqipëria renditet në pistën e ngadaltë. Analiza nuk kursen kryeministrin shqiptar dhe disa homologë të tij.

“Perspektiva duket edhe më e zymtë në pistën e ngadaltë. Në Shqipëri, Bosnje dhe Maqedoni, elitat politike i bëjnë premtime boshe BE-së, por as e kanë ndërmend të ndërrojnë rrugë për të shpejtuar proçesin. Kosova, e cila nuk ka marrëdhënie kontraktuale me BE-në, nuk e ka nisur ende rrugën evropiane. Kapja e shtetit dhe ndasitë me rrënjë të thella politike dhe ndëretnike përbëjnë pengesa të mrekullueshme”, vlerëson Bechev.

“Është e vështirë të shohësh metodën e BE-së, të karrotës dhe të shkopit, të funksionojë mbi udhëheqës të pushtetshëm lokalë si Nikola Gruevski, Sali Berisha apo Milorad Dodik, motivimi parësor i të cilëve është përforcimi i pushtetit në një klimë politike gjithnjë e më pak konkurruese”, evidenton ai.

Publikimi prej 10 faqesh i qendrës së njohur të analizave, i vlerësuar si “i shkëlqyer” nga “The Economist”, rendit një sërë rekomandimesh për të ringjallur politikën e zgjerimit me Ballkanin, jo nëpërmjet rrëfenjave të luftës, por nëpërmjet ekonomisë, si dhe për të rritur ndikimin për transformime të vërteta demokratike në rajon.

Top Channel