Mazhoranca dhe opozita bashkuan votat në Kuvend për marrëveshjen për ndertimin e “By Pass-it” të Fierit dhe marrëveshjen e ndryshuese në kontratën financiare për ndërtimin e rrugës Fier-Tepelenë.

Opozita që në fillim të seancës deklaroi votën pro për marrëveshjet e ndërtimit të rrugëve, por me ardhjen në sallë të kryeministrit Berisha disktutimi u shndërrua në garën për ndërtimin e infrastrukturës.

Berisha tha se qeveria e tij po ndërton me mijëra kilometra rrugë, por deputeti socialist Erjon Braçe kundërshtoi, duke deklaruar se qeveria socialiste në ‘97 ka gjetur vetëm 5 kilometra rrugë të ndërtuara.

Kryeministri Berisha: Ta votojmë unanimisht sepse rrugët po ndërtohen, sepse janë ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë. Në të gjitha këto, km për km, ka qenë vota kundër e opozitës.

Deputeti socialist, Erjon Braçe: Nuk ke asnjë deputet socialist në këtë sallë që të ketë votuar kundër marrëveshjeve që sot i zbaton Fondi Shqiptar i Zhvillimit. E vetmja marrëveshje që ne nuk kemi votuar në këtë parlament është marrëveshja që kaloi këtu 1 muaj më parë; 19 milion euro të tjera plus në segmentin Levan-Vlorë, të paguara drejtpërdrejt për ato arsye që ju i dini mirë, e që ka të bëjë me nënkontraktorin banal, por klient i ish-ministrit të Transportit, Lulzim Basha, por klient i kryeministrit të vendit, që boton dhe libra thjesht dhe vetëm për qejfin e tij. Po i përsëris atë që i thashë Sali Berishës këtu, unë për të vjedhur nuk votoj në parlament, gjithë ky grup deputetësh nuk votojnë botuesin personal të Sali Berishës.

Debati më pas u fokusua tek infrastruktura në jug. Numri një socialistëve në Kuvend, Gramoz Ruçi renditi të gjitha akset e jugut që janë ende në ndërtim nga qeveria Berisha, kur projektet tha ai janë tenderuar dhe  financuar nga qeveria socialiste përpara 2005.

Gramoz Ruçi: Lushnje-Fier, e projektuar nga PS, e financuar nga PS dhe e tenderuar, e vetmja përgjegjësi që keni ju, është cilësia e saj, tejkalimin e shpenzimeve dhe zvarritja e afatit.

Sokol Olldashi: Nëse jugu i vendit, është ky që është sot, jugu e kemi investuar ne dhe jo ju. Ju e keni parë gjithmonë si lopa që mund të shtrydhet për t’ju dhënë ju qumësht elektoral.

Marrëveshja për ndërtimin e “By Pass-it” të Fierit, parashikon financimin nga BEI prej 35 milionë euro, të një pjese të projektit, e bashkëfinancuar nga Berzh prej 35 milionë euro, Koperacioni Italian dhe qeveria shqiptare përkatësisht 1.8 milionë euro dhe 9.4 milionë euro.

Marrëveshja e dytë financiare që kaloi në Kuvend ishte ajo për ratifikimin e marrëveshjes për kontratën financiare të rrugës Fier-Tepelenë, që parashikon shtyrjen e lëvrimit të fondeve nga nëntori i 2011 për në dhjetorin e këtij viti.

Top Channel