Durrës, Berisha në inaugurimin e shkollës

13/09/2012 23:30

Me një investim prej 185 milionë lekë, shkolla “Bajram Curri 1” në zonën e plazhit në Durrës është ndërtuar si një shkollë e standardeve të larta, ku 1 mijë nxënës mësojnë në 24 klasa dhe 4 laboratorë, si dhe përdorin sallën multifunksionale, bibliotekën, palestren moderne dhe mjediset e tjera ndihmëse te shkolles.

Sipas kryeministrit Sali Berisha, i cili mori pjesë në inaugurimin e kësaj shkolle, për qeverine e tij nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa përqëndrimi tek përmirësimi i infrastrukturës arsimore dhe cilësia e mësimdhënies.

Duke e konsideruar arsimimin si shtyllën kryesore për zhvillimin e vendit, kryeministri Berisha theksoi se investimi per dijen është investimi më i mirë dhe afatgjatë që qeveria e tij ka bërë e do të bëjë për vendin.

“Ne kemi arritur të ndërtojmë e rindërtojmë në shkallë vendi 71 përqind të të gjitha shkollave. Ne do të vazhdojmë derisa çdo nxënës shqiptar të ulet e të mësojë në shkollë të standardeve eruopiane, kudo që ai ndodhet. Ju jeni misionarët e Shqipërisë së dijes, e Shqipërisë, në të cilën këta  nxënës do të ndërtojnë të ardhmen e tyre më të shkëlqyer”, tha Berisha në fjalën e tij.

Kryeministri Berisha drejtoi vëmendjen edhe tek politikat e qeverisë për të vlerësuar financiarisht mësuesit. Duke përmendur rritjen e pagave të arsimtarëve, që në krahasim me fillimin e vitit 2006 janë mbidyfishuar, duke përgjysmuar raportin e pagës së një arsimtari me atë të kryeministrit, zoti Berisha premtoi se qeveria e tij do të vazhdojë ta ketë prioritet politikën e rritjes së pagave.  
 

Top Channel