‘The Economist’: Rotacion në 2013

12/09/2012 19:50

‘The Economist’, revista prestigjoze britanike, parashikon rotacion politik në vitin 2013. Në studimin e fundit publikuar nga Economist Intelligence Unit, ku merren në analizë të gjitha vendet e botës, ndalur tek Shqipëria, pas një panorame të hollësishme të zhvillimeve politike e ekonomike në vendin tonë, thuhet se rënia ekomonimike pritet të jetë shkaku kryesor i ndërrimit të pushteteve.

“Pas dy disfatash zgjedhore, Partia Socialiste në opozitë ka shumë shanse të rivijë në pushtet, veçanërisht nëse rënia aktuale ekonomike vazhdon të gërryejë popullaritetin e qeverisë”, thuhet në përmbledhjen e studimit.

Shqipëria po kërkon të bëhet anëtare e BE-së, por Njësia Inteligjente Ekonomike beson se, që të arrihet statusi ka një shans të vogël vetëm në fund të 2013-ës, nëse përmbushja e reformave të kërkuara përshpejtohet.

Në këtë pikë, ‘The Economist’ nënvizon zgjedhjen e presidentit në qershor pa mbështetjen ndërpartiake, përkunder nga sa kishte kërkuar nga Bashkimi Europian.

Arritja e miratimit të Kodit Zgjedhor me konsensus nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste përmbush një prej kushteve të vendosura nga BE- ja për statusin, vijon ky paragraf i studimit.

Një tjetër çështje që nënvizohet është korrupsioni. Publikimi i revistës thotë se: “Lufta ndaj korrupsionit, e promovuar nga kryeministri si prioriteti i qeverisjes se tij, është tejet e kritikueshme, veçanërisht pas pushimit të çështjes ‘Meta’”.

Shumë zyrtarë të lartë janë akuzuar për korrupsion, thotë më tej ‘The Economist’, sipas të cilës, mungesa e dënimit të këtyre rasteve bëri që PD e PS të ndërmarrin një nismë për kufizimin e imunitetit të politikanëve e gjyqtarëve përmes ndryshimeve kushtetuese, por që ka pak gjasa të miratohet në kushtet e mungesës së besimit mes palëve.

Zgjedhjet shihen gjithashtu si një tjetër problematikë e madhe e vendit tonë. “Zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011 treguan se Shqipëria ende nuk është e aftë të mbajë zgjedhje të lira dhe sipas standarteve ndërkombëtare’, thotë studimi.

Economist Intelligence Unit per 60 vjet ka qenë një burim i informacionit mbi zhvillimet e biznesit, trendet ekonomike dhe politike, sjelljen e qeverive dhe të korporatave në të gjithë botën.

Top Channel