Rama mbledh të zgjedhurit vendorë

12/09/2012 23:00

Kryetari opozitës, Edi Rama i shoqëruar nga sekretarët e Selisë Rozë, dhe kreu grupit parlamentar, Gramoz Ruci zhvilloi, një takim me kryetarë bashkiakët socialistë dhe kryetarët e Partisë Socialiste në rrethe.

Takimi është zhvilluar në një prej lokale në periferi të Tiranës pa praninë e medias, por burimet i thanë Top Channel se arsyeja e këtij bashkëbisedimi lidhet me fushatën zgjedhore të vitit 2013.

Rama fillimisht u kërkoi të zgjedhurve socialistë të vijojnë punën me intesitet maksimal duke ofruar shërbime model për qyetarët në bashkitë e tyre.

Gjithashtu është diskutuar edhe strategjia elektorale e PS. Rama ka kërkuar mendimet e kryetarëve në rrethe për këtë strategji për të cilën nuk jepen detaje.

Intesiteti i takimeve të tre ditëve të fundit, me tregtarët e vegjël në Durrës, fermerët në Kashar dhe përfaqësues të biznesit të madh në Tiranë, përfshi bashkëbisedimin me të zgjedhurit socialistë është treguesi i qartë se motorët e fushatës janë ndezur. 10 muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, e gjithë Partia Socialiste është vënë në lëvizje për të zhvilluar një fushatë zgjedhore model, qoftë nga ana organizative, qoftë nga pikëpamja e komunikimit politik.  

Me sa kuptohet, një rol të rëndësishëm në fushatën e ardhshme zgjedhore do të luajnë edhe të zgjedhurit vendorë, që në zgjedhjet e vitit 2011 fituan një numër të konsiderueshëm bashkish.  

Po sot, burime nga Selia Rozë pohojnë se kryetari Rama është takuar edhe me disa përfaqësues të aleatëve tradicionale, si Paskal Milo, Skënder Gjinushi, etj.

PS synon nënshkrimin e një marrvëshje bashkëpunimi me aleatët nga e cila do të varet e formimi i një fronti të bashkuar opozitar. Por fjalën e fundit për sa i përket bashkëpunimit me aleatët do ta ketë Asambleja e Përgjithshme e PS.

Top Channel