Për herë të parë shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti dha
sqarime në Komisionin Parlamentar të Jashtëm, për çështjen e përcaktimit
të kufirit ujor me Greqine.

I thirrur nga deputetë të opozitës për të vërtetën e bisedimeve mes dy shteteve për këtë çeshtje, Panariti tha shkurt: “Nuk ka negociata, nuk ka grupe negociatorësh ka vetëm trajtesë teknike të këtij problemi brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme”.

Panariti shtoi se në marreveshjen e re me fqinjin tone jugor, baza do të jete vendimi i Gjykatës sonë Kushtetuese, e cila rrëzoi marrëveshjen e parë me Greqinë.

“Përcaktimet e bëra nga kjo Gjykate janë detyruese dhe duhen zbatuar në rastin eventual të bërjes së një marrëveshjeje të re me të njëjtin objekt. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është udhërrëfyes për çdo hap të mëtejshëm për delimitimin detar me Greqinë”, tha Panariti.

Nenkryetarja e Komisionit të Jashtem, Arta Dade i drejtoi disa pyetje ministrit të Jashtëm, ndër të cilat edhe atë për kthimin në kufi të gazetarit Marin Mema dhe dy gjyqtarëve.

“Kemi çështjen që mund të jetë e paprecedentë, që gazetari Marin Mema ndalohet në kufi. Klima politike e marrëdhënieve midis dy vendeve është e cënuar. A mendoni që rinisja e negociatave në këtë klimë mund ta vinte Shqipërinë përsëri nën presion?”, tha Dade.

“Këto janë probleme që padyshim janë jo të varura nga njëra-tjetra, por që do të kenë trajtesën kurajoze të drejtpërdrejtë, që unë do të bëj në vizitën time të ardhshme në Greqi, me ftesë të homologut tim”, tha Panariti.

Por opozita e konsideroi të pambyllur këtë seancë, duke i drejtuar përmes një letre kërkesën për vijimin e saj. Në këtë letër Dade thotë se deputetëve nuk iu dha mundësia për diskutimin e përgjigjeve të ministrit, duke kërkuar vijimësinë e diskutimit me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti.

Top Channel