Statusi, ‘‘nuk ka më kohë, duhen rezultate’’

04/09/2012 19:50

Pas takimeve në Bruksel me ministrin e jashtëm shqiptar Edmond Panariti, Eduard Kukan dhe Hannes Swoboda ftuan politikën shqiptare të marrë përsipër përgjegjësitë e saj dhe të mbyllë në kohë detyrat e mbetura.

’’S’ka më kohë dhe ajo po ikën shpejt. Ne jemi të gjithë të lumtur që ka një dialog politik, por kjo nuk mjafton. Tani na duhen rezultate nga ky dialog politik. Pa ato do të ishte e vështirë të ecet përpara’’, deklaroi Eduard Kukan, kreu i delegacionit të PE për Ballkanin.

’’Referendumi është demokraci e drejpërdrejtë dhe është mirë. Por, koha është më e rëndësishme për momentin dhe të organizosh një referendum do të marrë shumë kohë.  Mendoj se për disa çështje të rëndësishme politike për vendin, janë politikanët ata që duhet të marrin përgjegjësitë, e jo t’ia vënë popullit mbi shpatull’’, shtoi Kukan.

Nga ana e tij, kreu i Social-Demokratëve në Parlamentin Europian, Hannes Sëoboda, theksoi: ‘’Mendoj se Shqipëria e meriton (statusin kandidat). Kjo mund të bëhet nëpërmjet një procesi të dyfishtë : t’i thuhet po statusit kandidat për Shqipërinë për 100 vjetorin, e pastaj t’i bëhet e qartë se negociatat për anëtarësim mund të fillojnë vetëm pas zhvillimit të zgjedhjeve në një mënyrë korrekte dhe të denjë’’.
Shqipërisë i kanë mbetur pak javë për përmbushjen e masës minimale kritike të rezultateve, e cila përkthehet në votimin e disa ligjeve në parlament, për të përfituar rekomandimin e Komisionit përstatusin kandidat, por jo për çeljen e negociatave për anëtarësim. Fjalën e fundit për dhënien apo jo të statusit e kanë vendet anëtare, gjatë samitit të dhjetorit të këtij viti.

“Përmbyllni 12 rekomandimet”

Në përfundim të takimit me komisionerin Fyle, Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti tregoi mesazhin për klasën politike shqiptare në përmbushjen 12 prioriteteve.    

“Zoti Fyle dëgjoi me shumë vëmendje prezantimin që unë i bëra, kërkoi informacion shtesë për sa i përket përpjekjeve që ne po bëjmë në rrugën e reformave, bëri sugjerimet dhe rekomandimet e tij. Ai insistoi që koha në dispozicion është shumë e kufizuar. Eshtë e vërtetë që ai theksoi që cështja e imuniteteve nuk është pjesë e 12 prioriteteve dhe kjo u tha qartazi, por ai tha se është një sfidë që ju ia keni vënë vetes sepse ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me sistemin e drejtësisë dhe reformën e tij dhe si angazhim që kemi marrë duhet finalizuar”, tha Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti.  
 

Top Channel