Rama: Pushteti është shthurur

02/09/2012 00:00

Kryesocialisti Edi Rama e vuri theksin tek shthurja e plotë e qeverisjes aktuale e cila sipas tij gjen kohë vetëm për të sulmuar opozitën teksa vendi është futur në një spirale të rrezikshme në të gjithë sektorët kryesorë të tij.

Duke nisur nga situata e zjarreve që po shkrumbojnë pyjet në gjithë vendin e duke pasuar tek skandali siç tha ai, me abuzimet financiare të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

“Po kjo e të krehurit teksa vendi digjet s’është vetëm mënyrë qeverisjeje e Saliut po mënyra e të jetuarit të detyrës publike në qeverinë e Saliut. Po habitet Shqipëria me Guvernatorin e dytë në botë për madhësinë e rrogës që i ka vënë vetes. Edhe zoti Fullani krihet për shtatë palë qejfe teksa ekonomia kombëtare përpëlitet prej etheve përvëluese të krizës. Paguan me paratë publike një ekip volejbollistesh të Bankës së Shqipërisë që shpenzon më shumë se tre federata bashkë dhe nga ana tjetër paguan reklama televizive për t’u shitur njerëzve bono thesari, për arsye që lidhen pikërisht me vështirësinë e madhe të ekonomisë.”, u shpreh Rama.

Situata e krimeve ka qenë një tjetër pikë ku kryetari i Partisë Socialiste është ndalur për të treguar mungesën totale të shtetit.

“Shqipëria po digjet përditë në fillin e shpresës nga krimi i dalë jashtë çdo kontrolli. Shifrat e kriminalitetit janë rritur ethshëm gjatë këtij viti e sidomos në muajt e fundit. Në 90 ditët e fundit kanë humbur jetën 158 shqiptarë nga vrasjet, vjedhjet e aksidentet nëpër rrugët pa standarde që inauguron Saliu. 220 të tjerë janë plagosur e gjymtuar. Nuk janë kaq të vrarët e të plagosurit e 90 ditëve të fundit as në Irak as në Afganistan.”, shtoi Rama.

Në fjalën e tij kryesocialisti rikonfirmoi edhe një herë pozicionin e PS-së pro heqjes se imuniteteve teksa rikujtoi edhe paketën e amendamenteve të propozuara ku përfshihen votimi në Kuvend me 3/5 i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, i Prokurores së Përgjithshme, mundësia që edhe deputetë e politikanë të gjykohen si gjithë qytetarët e këtij vendi, në barazi të plotë para ligjit, votimi me shumicë të cilësuar i rregullores së Kuvendit etj.

Dialogu me shqiptarët do të jetë sipas kryesocialistit baza ku do të mbështetet fitorja e zgjedhjeve të ardhshme: “Ne do të jemi këta dhjetë muaj që mbeten deri ditën e zgjedhjeve nëpër qytetet e fshatrat e Shqipërisë për tëdialoguar për të ardhmen me çdo shqiptar që do rimëkëmbjen e ekonomisë, ripërtëritjen e shoqërisë, rivendosjen e demokracisë, dhe ribashkimin me Europën. Do të dialogojmë me shqiptarët për taksimin e ndershëm, për punësimin real, për nxjerrjen e fshatit nga prapambetja, për shërbimin shëndetësor sipas nevojës e jo sipas mundësisë për të paguar, për arsimimin e mirë pa korrupsion e fallsifikime, për shtetin që duam të ndërtojmë pas kaq vitesh degradim.

Top Channel