500 mln edhe për vilën e Presidentit

16/08/2012 19:30

Qeveria ka vendosur të lëvrojë një tjetër fond për Drejtorine e Shërbimeve Qeveritare, këtë radhë në shumën 51.6 milionë lekë të reja ose 516 milionë lekë të vjetra për rikonstruksionin e një tjetër vile qeveritare.

Bëhet fjalë për vilen numër katër në Tiranë, e cila do të shërbejë si residencë për Presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Këtë shumë qeveria do ta nxjerrë nga fondi i saj rezervë që përdoret kryesisht për emergjenca. Në njoftimin zyrtar të qeverisë, që i referohet mbledhjes së zhvilluar paradite thuhet se Këshilli i Ministrave vendosi që Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t’i shtohet fondi prej 51 638 144 (pesëdhjetë e një milionë e gjashtëqind e tridhjetë e tetë mijë e njëqind e dyzet e katër) lekësh, për rikonstruksionin e plotë të Vilës nr.4, në Tiranë.

Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, përfundon njoftimi. Vila numër katër nuk është përdorur më parë nga paraardhesi i zotit Nishani.

Ish-presidenti Bamir Topi ka zgjedhur të qëndroje në banesen e tij edhe pas zgjedhjes si President i Republikes në vitin 2007.

Top Channel