Këshilli Ushtarak në Egjipt, autoriteti që udhëheq aktualisht vendin, që gëzon si pushtetin legjislativ ashtu edhe atë ekzekutiv, premtoi delegimin e pushtetit në fund të qershorit tek presidenti që do të dalë nga zgjedhjet e mbajtura këtë fundjavë.
Deklarata e Këshillit mbërrin në një kohë kur autoritetet zgjedhore vazhdojnë numërimin e votave për të nxjerrë emrin fitues që do të jetë njëri mes Mohamed Mursi nga Vëllazëria Muslimane dhe Ahmed Shafiq, ish-gjeneral dhe ish-kryeministër i regjimit të Hosni Mubarak.
Vëllazëria Muslimane shpalli fitoren e kandidatit të saj duke deklaruar se ai ka siguruar 52 përqind të votave, kundrejt 48 përqind të rivalit Shafiq. Kjo është një deklaratë paraprake dhe rezultatet përfundimtare zyrtare do të marrin ende kohë për t’u publikuar.
Më herët Këshilli Suprem Ushtarak, deklaroi se nuk kishte ndërmend të delegonte pushtetin tek presidenti i ri i vendit dhe se zgjedhjet e reja legjislative në vend nuk do të mbahen pa ndryshimin e ligjit elektoral dhe Kushtetutës.
Situata politike në Egjipt është polarizuar shumë. Vëllazëria Muslimane akuzon ushtarakët se synojnë të mbajnë pushtetin, ndërsa këta të fundit mbrohen duke deklaruar se do të tërhiqen sapo vendi të bëhet me një president, parlament e qeveri demokratike.
Top Channel