Palët angazhohen në Bruksel

15/05/2012 19:55

Të pranishëm, si në dëgjesën në Parlamentin Europian, njësoj edhe në Këshillin e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, konfirmuan për “TCH” nga Brukseli vullnetin e palëve për përmbylljen në kohë të reformave që burojnë nga marrëveshja e nëntorit.

Për përfitimin e statusit kandidat, Ministrja theksoi reformën zgjedhore dhe zgjedhjen e presidentit, kreu i komisionit parlamentar për integrimin kujton edhe fushat e tjera ku vendit i kërkohen rezultate.

Bregu: Mesazhi i Brukselit, i qartë për të gjithë

“Besoj se ky mesazh, ndoshta dhe i pathënë në afat kohor të përcaktuar, pra në momentin kur duhet të fillojë zgjedhja e presidentit, ka qenë një mesazh i qartë për të gjithë. Gjithsesi, afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore është sot.

Unë di që Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur dhe po punon sikurse kanë punuar deri dje vonë. 99% të propozimeve që janë sjellë nga opozita janë pranuar dhe sot raporti final po shkruhet edhe me sugjerimet e OSBE/ODIHR-it.

E rëndësishme është që ky proces të përmbyllet për të sjellë atë për të cilën është nisur: frymën e konsensusit, të vullnetit politik të palëve për të pranuar ndryshime të Kodit Zgjedhor në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ky proces mund të mbyllet edhe sot apo nesër. E rëndësishme është të mos ketë më asnjë kthim pas, sikurse u tha dhe nga Komisioneri, që kjo marrëveshje dhe ky lloj konsensusi politik të jetë stabël dhe të mos ketë më ndryshime.

Dhe sigurisht, zgjedhja e presidentit që është vlerësuar që do të jetë një proces i negociueshëm, i cili do të përfaqësojë jo vetëm procesin, por edhe presidentin e zgjedhur në frymë dhe në letër sipas Kushtetuës, të jetë një proces që të mos i ngatërrojë apo t’i largojë palët për çështje që mund të ngelen të pazgjidhura”, deklaroi Ministrja Majlinda Bregu.

Bushati: Presidenti konsensual, një element kyç për statusin kandidat

Ditmir Bushati, Kryetar i Komisionit Parlamentar për integrimin, tha nga ana e tij për “Top-Channel”: “Duhet përmbyllur reforma zgjedhore dhe reforma parlamentare, në mënyrë që marrëveshja e nëntorit të konsiderohet e përmbushur.

Elementi i dytë ka të bëjë me zgjedhjen e Presidenti të Republikës dhe jo më kot nga Bashkimi Evropian kërkohet që paketa e nëntorit të përmbyllet para fillimit të procedurave për përzgjedhjen e presidenti të ri të Republikës, i cili kërkohet të dalë nga një proces gjithpërfshirës dhe të garantojë një president mbi palët, simbol i unitetit të popullit.

Elementi i tretë janë prioritetet nga 6 deri në 12: drejtësia; reforma në administratën publike; krimi i organizuar; korrupsioni; e drejta e pronës; të drejtat dhe liritë themelore të njeriut me fokus tek komuniteti rom, tek personat me aftësi të kufizuar dhe ata që vuajnë në institucionet penitenciare.

Dhe këtu duhet që reformat të jenë të qëndrueshme, të vërteta dhe të arrijnë një masë të tillë që t’i krijojnë mundësinë Komisionit Europian për ta vlerësuar pozitivisht kandidaturën e Shqipërisë dhe më pas për t’ia nënshtruar një diskutimi nga 27 vendet anëtare të BE-së”.

Top Channel