“Kalendari Maja, i keqinterpretuar”

11/05/2012 15:45

Historianë dhe studiues të kulturës maja, fisit që ka populluar Amerikën Qendrore qindra vite më parë, zbuluan vizatime të reja të tyre në Guatemalë, vizatime që tregojnë se fundi i botës nuk është 21 dhjetori i 2012-ës.

Majat njihen për aftësinë e tyre të organizimit të kohës, që nga kalendari (shkruar diku rreth 1300-1521) e deri tek përpikmëria e parashikimit të eklipseve diellore.

Në vendgërmimin arkeologjik të Xuntunit në Guatemalë, arkeologët zbuluan kalendarin hënor të pikturuar në faqen e një muri mesjetar. Mendohet se vizatimet i përkasin shekullit të IX pas Krishtit. Një pjesë e tyre janë të dëmtuara, ndërkohë që ka nga ato që janë të ruajtura shumë mirë.

Studiuesit thanë se kalendari i mëparshëm është keqinterpretuar dhe se ai nuk bën fjalë për fundin e botës, por për fundin e një cikli në kalendarin maja, që s’ka kurrëfarë lidhje me fundin e botës sonë.

“S’ka asnjë shenjë që bota do të përmbyset në vitin 2012, është thjesht përfundimi i njërit cikël të kalendarit të majave”, thotë zbuluesi i vizatimeve të reja dhe studiues i kulturës së majave, William Saturno nga Universiteti i Bostonit në Shtetet e Bashkuara.

Pra rrini të qetë. Më 21 dhjetor 2012 nuk do të ketë asnjë ndryshim rrënjësor…22 do të jetë aty duke na pritur…

Top Channel