Shumë liri për adoleshentët

10/05/2012 19:45

Periudha delikate e adoleshencës ishte në fokus të emisionit ‘Pasdite në Top Channel’ ku u diskutua mbi rreziqet që i kanosen të rinjve në shoqërinë tonë.

Psikologia Klodiana Turhani mendon se komunikimi është çelësi i suksesit në marrëdhënin prindër-fëmijë gjatë periudhës së adoleshencës: “Nuk ka shoqëri pa rreziqe, por prindërit duhet të komunikojnë me fëmijët në mënyrë që ata të ndërgjegjësohen për raportet që kanë me shoqërinë.”

Një fenomen që vihet re në brezat e rinj është pirja e duhanit dhe sipas Turhanit kjo gjë është kthyer në diçka normale: “Të gjithë e pinë, madje edhe vetë prindërit i dërgojnë fëmijët për t’i blerë duhan. Të pirit herët bën që lënia më pas të bëhet shumë e vështirë.”

Ndërsa balerina Elona Nallbani, nënë e një djali 13-vjeçar, mendon se shteti duhet të marrë masa dhe të mos lejojë që adoleshentët të blejnë paketat e cigareve lirshëm: “Shteti nuk duhet të lejojë që duhani të shitet tek moshat minorene.”

Një tjetër fenomen që vihet re është aksesi që kanë adoleshentët në materiale pornografike nëpërmjet internetit. Psikologia Turhani shprehet: “Adoleshentët e dinë që pornografia është e ndaluar. Është shqetësues fakti që këto materiale shikohen në moshë të hershme. Kur shihet seksualiteti në atë formë krijon koncept të gabuar tek minorenët. Marrëdhënia mashkull-femër nuk është ajo që shihet në internet.”

Rezarta Delisula, zv/kryeredaktore e Gazetës Shqiptare, mendon se është shumë vështirë që adoleshentët të kontrollohen nga prindërit kur vjen puna tek kompjuteri pasi shumica e prindërve nuk janë në gjendje ta përdorin atë.

Delisula thekson: “Adoleshentët gjërat e ndaluara do i bëjnë patjetër, e gjejnë mënyrën. Internet-kafetë duhet të bllokojnë faqet porno, por ka edhe persona mbi 18 vjeç që nuk mund t’i ndalosh nëse kanë dëshirë të shikojnë material për të rritur.”

Për balerinën Elona Nallbani ka një mënyrë për të kontrolluar fëmijët: “Nëse prindi argumenton, fëmija do të bindet. Nuk duhen vendosur barriera në komunikim dhe gjithçka do të shkojë mirë.”

Top Channel