10 mijë biçikleta në Nju Jork

07/05/2012 18:25

Për të lehtësuar trafikun por sidomos për të luftuar obezitetin, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg njoftoi nismën më të re të tij; zbarkimin në qytet të mbi 10 mijë biçikletave.

Mjetet me dy rrota do të stacionohen në 600 zona në të gjithë qytetin në kuadër të një programi për shmangien e trafikut dhe luftës së obezitetit që mes amerikanëve është i përhapur në shifra rekord, për shkak të jetës sedentare dhe mënyrës së ushqimit.

Biçikletat do të mbajnë shkrimin Nju Jork dhe nisma sponsorizohet nga Citigroup dhe Mastercard me përkatësisht 41 dhe 6.5 milion dollarë.

Ky është një projekt pilot që pritet të përhapet edhe në shtete të tjera të Shteteve të Bashkuara, nëse do të rezultojë i suksesshëm. Nuk ka ende një vendim nëse biçikletat do të përdoren nga qytetarët falas, apo kundrejt një çmimi simbolik.

Top Channel