Rritet kostoja e borxhit

05/05/2012 00:00

Qeveria po merr borxh me kosto të lartë për të përballuar shpenzimet e buxhetit gjatë muajve të parë të këtij viti.

Në ankandin e fundit, interesat e bonove me afat njëvjeçar qëndruan në nivelin e lartë 7.35 për qind. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se krahasuar me fundin e vitit të kaluar, interesat e bonove me afat maturimi një vjecar janë rritur me rreth 0.65 pikë përqindje. Sipas shifrave rritja e interesave ka prekur thuajse të gjitha llojet e letrave me vlerë edhe ato me afate të tjera maturimi, duke rënduar barrën që paguajnë qytetarët me taksat e tyre.

Dhe kostoja nuk është e vogël. Qeveria shqiptare ka marrë 440 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm, që do të thotë se një rritje në interesat e bonove, u kushton taksapaguesve mbi 28 milionë dollarë shtesë në vit.

Dy janë arsyet kryesore se pse kostoja e borxhit të brendshëm po rritet. E para lidhet me vetë sjelljen e qeverisë në treg dhe mënyrën, se si ajo po administron financat publike. Në tre muajt e parë të vitit, shpenzimet e buxhetit janë rritur përtej çdo parashikimi. Kjo ka bërë që defiçiti buxhetor për këtë periudhë të kërcejë në 275.8 për qind e planit dhe Ministria e Financave e ka mbuluar atë duke rritur fort huamarrjen në tregun e brendshëm. Sipas shifrave zyrtare, në tre muajt e parë të vitit qeveria mori mbi 18 herë më shumë borxh në tregun e brendshëm, nga sa kishte parashikuar në buxhet.

Kjo rritje e kërkesës ka bërë që bankat të përfitojnë duke shtrenjtuar interesat. Por kërkesa e lartë e qeverisë për para nuk është shkaku i vetëm se pse kostoja e borxhit publik është rënduar. Një tjetër arsye është e lidhur me konjukturën e tregut financiar dhe pasojat që po sjell kriza e eurozonës në ekonominë shqiptare.

Komisioni Europian u ka vënë kushte bankave europiane, disa prej të cilave janë të pranishme edhe në Shqipëri, që të riekuilibrojnë bilancet e tyre të tronditura nga kriza, duke rritur kapitalin ose pakësuar kredinë që ato japin.

Kjo masë ka prekur edhe Shqipërinë, ku disa nga bankat më të mëdha në vend, të cilat mbajnë peshën dërrmuese të letrave me vlerë kanë filluar të tkurrin huadhënien për qeverinë duke mos rinovuar madje as borxhin ekzistues. Të dyja këto arsye po i mbajnë interesat e borxhit të brendshëm në nivele të larta dhe gati e kanë nxjerrë jashtë loje lehtësimin e politikës monetare nga Banka Qendrore. Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar norma bazë e interesit është ulur me 1 pikë përqindje duke qëndruar në minimumin historik prej 4.25 për qind.

Por për të njëtën periudhë, interesat që paguan qeveria janë ulur me vetëm 0.3 pikë përqindje duke bërë që aktualisht diferenca mes cmimit të bonove njevjecare dhe normës bazë të qëndrojë në nivelet më të larta, njëlloj si në vitin 2009, kur financat e qeverisë gati u shthurën nga deficiti i lartë.  

Top Channel