Ja modeli i ri “Galaxy S III”

05/05/2012 00:00

Ishte një spektakël i vërtetë. Exhibition Centre në Londër, një sallë
madhështore ekspozimi e kryeqytetit britanik, u mbush e tëra nga
biznesmenë dhe gazetarë për të parë produktin e ri të “Samsung”.

Lufta në sektorin e smartphone-ve është vërtetë e pamëshirshme dhe modeli i ri “Galaxy” do të ketë mbi shpatulla një peshë të madhe, të sfidojë “Apple”.

Mes tingujve të tambureve dhe atyre të telave të violinës të London Metropolitan Orchestra u prezantua “Galaxy S III”.

“Mbi natyrën e vërtetë të këtij telefoni ka pasur shumë zëra. Disa prej tyre do të rezultojnë të vërtetë, të tjerë jo. Por një gjë është e sigurtë, ky është smartphone më i mirë i llojit të tij”, deklaroi nga podiumi Jk Shin, president dhe shef i seksionit të komunikimit celular.

Modeli i ri “Galaxy S III” ka këto karakteristika: Një ekran full HD me përmasa 4.8 polësh, ose 12.2 centimetra, të bazuar në teknologjinë super AMOLED, që do të thotë se është 22 për qind më i fuqishëm se parardhësi i tij. Gjithashtu, ai ka një kamera prej 8 megapixel.

Gjithçka është e përfshirë në 8.6 milimetra trashësi dhe 133 gramë peshë. Por ato që bëjnë diferencën janë modalitetet e funksionimit.

“Samsung”, në prezantimin e modelit, ka insistuar disa herë mbi konceptin e një “dizajni të menduar për njerëzit por të sugjeruar nga natyra”.

“Sot jemi të rrethuar nga teknologjia “smart”, telefonë, televizorë, madje edhe lavatriçe. Ne besojmë se duhet të shkojmë përtej dhe ky produkt paraprin dëshirat tona”, tha një zëdhënës i kompanisë aziatike.

Ja dhe funksioni që bën diferencën, ai që mundëson aktivizimin e telefonit vetëm me anë të syrit, ose më saktë, është celulari që kupton kur duam që ekrani të jetë aktiv apo jo.

Më pas është S-Voice, ose kontrolli zanor, pak a shumë si “Siri” i “Apple”. Gjithashtu “Galaxy S III” është i hekurt përsa i përket rrjeteve sociale.

Me pak “touch” mund të dërgohen foto të bëra në shoqëri, pasi software-i njeh fytyrat dhe i shpërndan automatikisht tek rubrika dhe falë funksionit “share”, nëse dy telefona të këtij lloji afrohen, përmbajtjet mund të shkëmbehen me Wi-Fi. Produkti i ri do të nxirret në tregun evropian duke filluar nga 29 maji.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel